Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

​Hoti i kërkon Varhelyit përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën

Gjatë vizitës zyrtare në Bruksel, kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, është pritur në takim nga Komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, me të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit politike në vend.


Sipas komunikatës qeveritare, kryeministri Hoti e ka njoftuar komisionerin Varhelyi për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, në veçanti në menaxhimin e situatës së krijuar me COVID-19, për masat që janë ndërmarrë dhe për Pakon e rimëkëmbjes ekonomike.

Në emër të qeverisë, kryeministri Hoti i ka falënderuar institucionet e BE-së për mbështetjen financiare dhe teknike që i kanë dhënë Kosovës në luftimin e pandemisë

Ai, po ashtu, ka shtruar nevojën e përmbylljes sa më të shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave, duke theksuar se qytetarët e Kosovës meritojnë të lëvizin lirshëm sikurse popujt e tjerë, pasi që janë përmbushur të gjitha kushtet e parapara.

Kryeministri Hoti ka folur edhe për marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, të nënshkruar në Uashington më 4 shtator, e cila paraqet një akt të vullnetit të mirë për të ecur më tej drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse në mes të dy vendeve, e cila duhet të rezultojë me njohje reciproke.

Comment here