Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

Abuzimi me ujë

Banorët e 15 fshatrave të Lugut të Baranit të Komunës së Pejës prej vitesh janë në pritje të projektit që do t’i furnizonte me ujë të pijshëm. I nisur 8 vjet më parë, projekti për ujësjellës nuk ka përfunduar ende. Vonesat në këtë projekt janë shkak i kundërshtimeve të banorëve të anës së Podgurit, të cilët pretendojnë se burimi i ujit u takon atyre.


Por krejt ky kundërshtim ka dyshime për prapavijë politike. Kjo është pasqyruar edhe në seancat e shumta të Kuvendit Komunal të Pejës kur është diskutuar për këtë projekt. Partitë politike kanë shprehur qëndrime të ndryshme. Derisa asamblistët e PDK-së thonë se ky projekt është i paanalizuar mirë dhe po shkatërron një pikë turistike për të furnizuar me ujë një rajon tjetër, asamblistët e Vetëvendosjes i kanë akuzuar ata për politizim me ujë të pijshëm.

Edhe sipas Astrit Vokshit, nga organizata CDI zvicerane, vonesat në projekt janë shkaku i interesave politike. Kjo pasi, sipas tij, banorët e kësaj ane nuk e kanë dëgjuar kryetarin e Komunës për të lejuar implementimin e këtij projekti që është një interes i përgjithshëm dhe që nuk ndikon asgjë në burim.

Në kohën kur vendi po përballet me pandemi dhe institucionet bëjnë thirrje për mbajtjen e higjienës, banorët e këtyre fshatrave duhet që ujin e pijshëm ta sigurojnë vetë, pasi shteti ka dështuar që ta bëjë një gjë të tillë. Ky problem nuk pritet të zgjidhet as këtë vit. E në pikëpyetje është edhe përfundimi në vitin e ardhshëm shkaku i ngadalësimit në punime për shkak të pandemisë. Probleme të ngjashme ka edhe nëpër vendbanime të tjera në pothuajse të gjitha komunat e Kosovës.

Me kapacitetet aktuale që ka Kosova është e pamundur që të përballen të gjitha kërkesat për furnizim. Por, përkundër kësaj, institucionet nuk kanë bërë asgjë në krijimin e resurseve të reja ujore, e njëkohësisht kanë dështuar në ruajtjen e atyre ekzistuese. Partitë kanë abuzuar me pushtetin. Në vend se të veprojnë në mbrojtje të resurseve, ato në momentin që kanë ardhur në pushtet kanë përdorur atë për përfitime të tyre personale dhe grupeve të caktuara të interesit.

Comment here