Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

Analistë amerikanë paralajmërojnë diskutime për “Trepçën” e Ujmanin në Washington

Marrëveshja për hekurudhat, linjën ajrore dhe autostradën që lidh Kosovën me Serbinë- janë temat me të cilat do të nisin takimet në Shtëpinë e Bardhë, nën ndërmjetësimin e emisarit amerikan, Richard Grenell.


Edhe përgatitjet e delegacionit të Kosovës janë bërë rreth këtyre temave, ku pritet të prezantohen projektet me qëllim finalizimin e letrave të interesit, që ishin arritur në shkurt të këtij viti në Gjermani.

Njohja e ndërsjellë, të cilën e ka proklamuar kryeministri Hoti në vazhdimësi, nuk është në agjendë, megjithëse nuk është përjashtuar mundësia që kjo të shtrohet për diskutim në takimin e së premtes nëse pajtohen të dyja palët.

Njohësi amerikan i çështjes së Ballkanit, Daniel Serwer, thotë se me diskutimet për linja ajrore e hekurudhore janë vendosur pritje të vogla që arrihet te diçka e madhe.

“Nuk e di se çka mund të jetë, por përmendet një zgjidhje speciale ekonomike rreth brezit kufitar mes dy vendeve. Pra mund të ketë diskutime për “Trepçën” e Gazivodën. Por këto duket vështirë të realizohen për shkak se implikojnë çështje të sovranitetit”, ka thënë Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins.

Profesori amerikan ka shtuar se Serbia nuk është gati të diskutojë për statusin e Kosovës, prandaj njohja e ndërsjellë vështirë se mund të shtrohet në tryezën e negociatave. Sa i përket mundësisë që palët të rrëshqasin në diskutime për territore, ai ka thënë se ky rrezik ekziston.

Comment here