Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

Deputetët në pushim, mbajnë peng tërheqjen e 10% të kontributeve në Trust

Tërheqja e 10 përqind të kontributeve pensionale në Trust nga qytetarët varet nga miratimi i ndryshimeve ligjore në Kuvendin e Kosovës. Deputetët nuk arritën të kalojnë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike në gusht dhe të njëjtët aktualisht janë në pushim deri më 15 shtator.


Ndërsa, pandemia COVID-19 përveç në shëndetin publik, ka shkaktuar dëme të mëdha në ekonomi dhe punësim në vend.

Këshilltari senior në Riinvest, Muhamet Mustafa ka thënë për KosovaPress se Kuvendi i Kosovës ka treguar jo efikasitet deri në papërgjegjësi për mos aprovimin e programit të rimëkëmbjes ekonomike

Ai ka thënë se disa komponentë të programit të rimëkëmbjes ekonomike mund të zbatohen edhe pas aprovimit të rishikimit të buxhetit përveç mjeteve të ngrira të privatizimit dhe mjeteve të Trustit Pensional.

“Është shumë e çuditshme që Kuvendi nuk mund të krijojë forumin që ta votojë këtë program, e aq më keq shkon në pushim vjetor pa e kryer një votim të tillë. Një muaj derisa të mblidhet Kuvendi dhe të zhvillohen procedurat. Humbet një muaj e gjysmë, ndërsa kjo është tërësisht e pakuptimtë. Për këtë duhet të mendojë edhe Kryesia e Kuvendit, por edhe grupet parlamentare dhe partitë politike në pushtet, si dhe opozita. Është për çudi që edhe 20 deputetë të partive në pushtet kanë munguar kur është dashur të votohet ky projektligj. Kështu që është koha e fundit që të ngrihet serioziteti në punë, deputetët të vetëdijesohen se aty janë për të kryer punë. Ata paguhen me taksa të bizneseve, të cilave nuk po ua bëjnë të mundur që t’i shfrytëzojnë komponentët kyçe të programit të rimëkëmbjes ekonomike”, thotë Mustafa.

Eksperti i ekonomisë ka folur po ashtu edhe për dëmet e vlerësuara në ekonomi, që sipas tij, qarkullimi i bizneseve ka rënë deri në 80 përqind. Ai parashikon edhe një rënie të madhe ekonomike, që ende as qeveria nuk e ka paraparë. Megjithatë, Mustafa tregon sektorët që kanë performuar më mirë në pandemi.

“Kemi publikuar një raport ku shihet që ka pasur një goditje shumë të rëndë, në fazën e parë, mars deri më 18 maj rënia në shitje tek bizneset ka qenë prej 20 deri 80 përqind. Shumica kanë pasur një rënie prej 50 përqind. Ka pasur raste kur kanë pasur rënie 80 përqind, ndërsa në raste të tjerë 20 përqind. Vetëm industria e qumështit dhe bukës nuk ka pasur rënie për arsye se importi ishte vështirësuar. Kështu që produktet vendore të drithit dhe miellit, si dhe të qumështit kanë gjetur një treg, madje kanë pasur një rritje të shitjes vetëm këta dy sektorë… Në përgjithësi është një goditje e rëndë, frikësohem se është goditja më rëndë sesa mendon qeveria. Rënia e rritjes ekonomike ose rënia e GDP-së do të jetë më madhe sesa planifikon qeveria. Pastaj këto janë pasoja zinxhirë në aktivitetet ekonomike, punësim, buxhet dhe të gjitha segmentet tjera”, ka thënë ai.

Mendim të njëjtë për papërgjegjësi të deputetëve të Kuvendit për mosmiratimin e pakos për rimëkëmbje ekonomike, ka edhe profesori universitar Mazllum Barlaiu

Njohësi i çështjeve politike ka thënë se Kosova është në gjendje mjaft të rëndë dhe veprimet e Kuvendit janë të pafalshme në këtë kohë të pandemisë.

Teksa thotë se rreth 40 mijë qytetarë janë të pa punë dhe deputetët nuk ishte dashur të shkojnë në pushime.

“Në asnjë mënyrë nuk është dashur që të ketë pushim për shkak të pandemisë pasi Kosova është në gjendjen më të rëndë… dhe duke mos menaxhuar mirë këtë pandemi, duke mos pasur unitet dhe shumicë të qëndrueshme në Kuvend e as në qeveri sidomos në Kuvend. Ishte dashur domosdoshmërisht që edhe Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike t’i kushtojë rëndësi, për arsye se bizneset dhe ekonomia jonë është para falimentimit. Dhe ne jemi në gjendje të rëndë, klasa punëtore janë mbi 40 mijë të pa punë. Nuk kanë marrë ende mjetet e pakos së parë, asaj emergjente, e lërë më ato injeksionet për të mbijetuar kësaj krize ekonomike të shkaktuar nga pandemia. Prandaj do të duhej domosdoshmërisht të mos shkohej në pushim, as qeveria e as parlamenti, në mënyrë që të trajtohet ky ligj dhe të miratohet”, thekson Baraliu.

Ai po ashtu theksoi se nuk duhet të ketë dallime politike për miratimin e këtyre ligjeve me rëndësi, sepse sipas Baraliut, funksion kryesor dhe parësor i kuvendit është miratimi i ligjeve

Sa i përket rimëkëmbjes ekonomike, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë se komuniteti i bizneset ka mjaft arsye që të jetë i shqetësuar dhe i zhgënjyer me qasjen e deritashme institucionale për trajtimin e efekteve negative që çdo ditë po i sjellë pandemia në ekonominë e vendit.

Rukiqi madje po i konsideron si mjaft të rëndësishme masat për tërheqjen e kursimeve nga Trusti dhe masa tjetër për garanci në kredi. Megjithatë, edhe Rukiqi shprehet se nuk arrin të kuptojë pse deputetët shkojnë në pushim, derisa nuk miratohet programi për rimëkëmbje ekonomike.

“Këtu kemi dy probleme, problemin e parlamentit i cili edhe pse në kohë të pandemisë u thirr në atë pushimin vjetor, mirëpo nuk e di pse duhet me pritë deri më 15 shtator që parlamenti të mblidhet dhe të diskutojë tema të rëndësishme jetike për vendin që në këtë rast është Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike. E kemi thënë dhe vazhdojmë të themi, mjetet duhet të shpërndahen shpejtë… Dy masa janë më kryesore të Ligji për Rimëkëmbjes Ekonomike, e që janë mjetet e Trustit që ndihmojnë drejtpërdrejt në kërkesën agregate dhe qytetarët janë të interesuar t’i tërheqin dhe aq sa kanë t’i tërheqin dhe t’i përdorin tani kur kanë më së shumti nevojë. Një masë tjetër me rendësi, është garancia për kredi për bizneset”, thotë Rukiqi.

Ai po ashtu ka thënë se shumica e masave të cilat kanë qenë të domosdoshme për të parandaluar përhapjen e pandemisë kanë prekur drejtpërdrejt sektorin privat, por në të njëjtën kohë shumë pak masa institucionale janë dalë në përkrahje të sektorit privat në kohën më të vështirë

Rukiqi më tej ka thënë se për një periudhë tashmë gati 6 mujore në pandemi, as 100 milionë euro nuk janë futur në ekonomi, ndërsa në vendet tjera injektuar qindra miliona euro për të ndihmuar kompanitë për të mbijetuar dhe për t’i ruajtur vendet e punës.

Edhe ato mjete të cilat tash janë përfunduar të pakos emergjente, ai thotë se pothuajse shumë pak kanë shkuar tek kompanitë, shumica e atyre mjeteve kanë shkuar në pagat e punëtorëve, që është mirë dhe, për qiratë. Madje, kreu i OEK thotë se asnjë kompani e Kosovës nuk ka marrë përkrahjen e drejtpërdrejt të shtetit.

Comment here