Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

Edhe PDK’ja do të propozojë kanidatin e saj për President

Deputetja e PDK-së Ariana Musliu-Shoshi, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se gjatë muajit shkurt e mars të vitit të ardhshëm do të diskutohet për pozitën e presidentit.


Ajo madje ka shtuar se PDK-ja gjithsesi do ta ketë kandidatin e saj.

“Kur të vijë muaji shkurt dhe mars do të diskutohet për pozitën e presidentit. Ne gjithsesi se do ta kemi kandidatin tonë. Po të mos ishte pandemia besoj që ne si Parti Demokratike do të kishim marrë hapin që të kemi zgjedhje. Mirëpo duke marrë parasysh që ne jemi në pandemi dhe ende është numri shumë i lartë i vdekjeve ne nuk i shohim si opsion zgjedhjet tani”.

Deputetja Musliu-Shoshi komentoi koalicionin qeverisës, ku për tu bërë pjesë e tij ajo tha se duhet të vendosin instancat më të larta të partisë.

Sipas saj, zgjedhjet janë opsioni më i mirë gjithmonë duke pasur parasysh ruajtjen e shëndetit publik.

“Për koalicion apo për të qenë pjesë e qeverisë do të vendoset në organet e partisë. Deri më tani ne nuk kemi diskutuar në asnjë mbledhje që kemi pasur as Kryesia dhe as Këshilli i Përgjithshëm dhe as grupi parlamentar”.

“Mendoj që duhet të vlerësohet situata momentale në të cilën jemi para interesit personal të atij partiak dhe si rrjedhim do ta marrim vendimin si parti. Personalisht mendoj që zgjedhjet janë opsioni më i mirë gjithmonë duke pasur mundësinë që të ruhet shëndeti publik”, u shpreh ajo.

Ajo ka folur për menaxhimin e situatës me Coronavirus, duke shtuar se në këtë aspekt mungon bashkëpunimi pozitë-opozitë.

“Pandemia ka qenë dhe është ende e panjohur për ne dhe për të gjitha qeveritë e botës e lëre më për neve që jemi shtet në zhvillim. Mendoj se ka mundur të menaxhohet më mirë, mirëpo çka na dallon neve prej vendeve të tjera është se të gjitha kanë bashkëpunuar pozitë dhe opozitë. Përderisa mendoj që në skenën tonë politike është shfrytëzuar më shumë për poenë politik”.

Ajo shtoi se pushimi vjetor për deputetët nuk ka qenë aspak i nevojshëm për shkak të problemeve aktuale që ka vendi, raporton EO.

“Unë mendoj që Kuvendi i Kosovës nuk është dashur që të shkojë në pushim sepse nuk ka filluar punën atëherë kur është dashur duke pasur parasysh bisedimet që kanë qenë për koalicion, pastaj patëm prishjen e qeverisë dhe shumë pak kohë ka pasur që Kuvendi ka punuar”.

“Mendoj që pushimi nuk ka qenë aspak i nevojshëm sepse deputetët kanë pushuar mjaft kështu që më e arsyeshme ka qenë që të merremi me problemet të cilat i kemi ne si shtet dhe që i ka Qeveria me projektligjet të cilat kanë ardhur në Kuvend që të diskutohen në komision sesa që të shkohet në një pushim zyrtar”.

Comment here