Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

Esch: Në Washington për ekonomi – marrëveshja gjithëpërfshirëse përgjegjësi e Brukselit

Në dialogun Kosovë-Serbi, Bashkimi Evropian po synon që të kalohet nga çështjet më shumë teknike te pyetjet e mëdha politike në mënyrë që gradualisht të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Kështu thotë Valeska Esch, zëvendësdrejtoreshë ekzekutive e Institutit gjerman Aspen, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë,

Sipas saj, Bashkimi Evropian dhe i dërguari i posaçëm Mirosllav Lajçak janë përgjegjës për lehtësimin e dialogutndërmjet Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të arrihet deri te një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme dhe për këtë, ajo thotë, se mbështetje kanë dhënë edhe Shtetet e Bashkuara.

Radio Evropa e Lirë: Po e filloj këtë intervistë me procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Si e vlerësoni këtë proces dhe a mendoni se zhvillimet me pandeminë e COVID-19 do të ndikojnë në këtë proces?

Valeska Esch: Në rend të parë është e rëndësishme të dihet se përkundër përparimit të paktë dhe hezitimit nga ana e Bashkimit Evropian, megjithatë BE-ja në vazhdimësi e ka përsëritur perspektivën e anëtarësimit të të gjitha vendeve të rajonit. Mendoj se kjo është reflektuar edhe në përgjigjen ndaj COVID-19 të Bashkimit Evropian.

Në fillim kishte një përgjigjje më të ngadaltë nga ana e BE-së sepse vendet po merreshin me pandeminë brenda territorit të tyre, por mendoj se BE-ja ka treguar në mënyrë të qartë se do të bëjë gjithçka që mundet për të mbështetur vendet e rajonit. Mendoj se pavarësisht disa vonesave, ky është një proces ende i gjallë, dhe po ec përpara. BE-ja vazhdon të jetë një partnere e rëndësishme ekonomike. Pra, mendoj se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përqendrohen në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Ato veçse janë afër integrimit, në veçanti në aspektin ekonomik, pasi BE-ja mbetet partnerja më e rëndësishme investuese në rajon. Këto vende, duhet të fokusojnë energjitë në procesin e anëtarësimit dhe të vendosin në prioritet reformat e nevojshme që mundësojnë këtë anëtarësim. Këto përfshijnë demokracinë dhe qeverisjen, sundimin e ligjit, reformat ekonomike dhe luftimin e korrupsionit.

Kur flasim për ndryshimet që ka sjell pandemia, ne e kemi parë në pranverë, që BE-ja do të përqendrojë shumë energji dhe kapital politik në ringjalljen e ekonomisë së bllokut. Pandemia ende nuk ka përfunduar, kështu që vendet anëtare ende po luftojnë me të, kemi rritje të numrit të të infektuarve në gjithë Evropën. Pra, natyrisht kjo mund zbehë vëmendjen politike nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, unë mendoj se BE-ja e ka në mendje Ballkanin Perëndimor gjatë adresimit të problemeve, përfshirë edhe rimëkëmbjen.

Comment here