Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

Gjashtë muaj në luftë me COVID-19, si po e përballojnë komunat e Kosovës

Nga paraqitja e rasteve të para me COVID-19 më 13 mars në Kosovë, janë konfirmuar 13 mijë e 713 raste pozitive. 539 persona kanë humbur betejën me coronavirusin. 9 mijë e 923 kanë arritur të shërohen, ndërkaq 3 mijë e 251 të tjerë po përballen ende me virusin. Prishtina, Peja, Gjilani, Ferizaj e Vitia janë disa nga komunat me raste pozitive, drejtorët e Shëndetësisë të të cilave kanë folur rreth situatës me COVID-19 atje.


Janë bërë gjashtë muaj prej kur Kosova po përballet me coronavirusin.

Përgjatë kësaj kohe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka testuar 52 mijë e 157 persona të dyshimtë për COVID-19.

Nga ta, 9 mijë e 923 banorë të Kosovës kanë rezultuar pozitivë me koronavirus.

Prishtina është qyteti me më së shumti raste që nga fillimi i pandemisë në Kosovë.

Drejtori i Shëndetësisë në kryeqytet, Bujar Gashi, ka treguar se nga fillimi, në Prishtinë janë shënuar gjithsej 4 mijë e 270 raste pozitive.

Si pasojë e coronavirusit, në Prishtinë kanë vdekur 73 persona.

“Në total kemi 4270 raste pozitive. 848 raste janë ende aktive, 3349 persona janë shënuar, ndërkaq 73 kanë vdekur”, ka deklaruar Gashi.

Në komunën e Pejës nga fillimi i pandemisë janë shënuar 880 raste pozitive me coronavirus.

Drejtori i Shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci, ka treguar për Express se aktualisht janë 207 raste aktive, por sipas tij numri i personave të infektuar është edhe më i madh, porse nuk janë testuar.

“Janë 880 raste me COVID-19 nga fillimi pandemisë. Afërsisht janë 207 raste aktive zyrtarisht në bazë të testimeve, ndërsa numri është edhe më i madh pasi që një numër i konsiderueshëm i pacienteve janë duke u trajtuar me COVID dhe nuk janë të testuar. 636 pacientë deri më tani janë të shëruar, janë mbi 20 persona të vdekur me COVID nga fillimi i pandemisë”, ka deklaruar Loci.

Loci është shprehur i pakënaqur me numrin e testeve që po kryhen në Pejë.https://gjc.gjirafa.com/Home/IndexR?configId=5563-1&gjid=42396931&v=2.1&guid=e9b71a14d5a64e1aa2f4458b595e88947044e8b678d9472b9cbbd314ebe05f40

Madje, ai thotë se IKSHPK ka humbur kredibilitetin te qytetarët. Shton se përgjatë një jave në QMF’në e Fidanishtes janë trajtuar 658 pacientë me coronavirus, bazuar në raportet mjekësore, por vetëm 65 prej tyre janë të testuar.

“Aspak i kënaqur pasi që IKSHP në Pejë i ka humbë kredibiliteti si institucion joserioz karshi obligimeve që i ka ndaj qytetarëve. Duhet theksuar se për shtatë ditët e fundit kanë marrë terapi ditore në aneksin e QMF Fidanishte 658 pacientë me COVID në bazë të raportit mjekësor të repartit infektiv, ku vetëm 65 prej tyre janë të testuar”, ka thënë Loci.

Ndërkohë, Loci ka treguar se në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë janë të shtrirë 50 pacientë, prej të cilëve, 13 në gjendje më të rëndë shëndetësore.

Kritika ndaj IKSHPK’së ka edhe në Komunën e Ferizajt

Drejtori i Shëndetësisë atje, Bekim Ademi, ka thënë për Express se Instituti i Shëndetësisë nuk po kryen mjaftueshëm teste.

“Nga fillimi kemi qenë kritik sepse shumë pak po testohen nga Instituti”, ka thënë Ademi.

Ai ka treguar se në Ferizaj janë 155 raste aktive, 625 persona janë shëruar ndërkaq 38 të tjerë kanë vdekur si pasojë e coronavirusit.

“Deri më tani kemi 814 raste në total. Tani janë 155 raste aktive. 625 janë të shëruar, 38 persona kanë vdekur. Gjendja është e mirë stabile, prej tyre 21 janë në spitalin e qytetit në kujdesin e mjekëve”, ka thënë Ademi.

As në komunën e Vitisë nuk po kryhen mjaftueshëm teste për COVID-19.

Kështu ka deklaruar drejtoresha e Shëndetësisë atje, Vjollca Kadolli.

“Sa i përket testimeve, mendoj se është si në çdo komunë tjetër, jo në nivelin më të mirë, janë mbi 700 teste që janë bërë deri më tani në komunën tonë. Kemi një bashkëpunim të mirë me IRSHP në Gjilan, që janë munduar të ju përgjigjen kërkesave tona si komunë në testimin e personave simptomatikë. Tani kemi edhe një laborator privat që kryen testime serologjike”, ka thënë Kadolli.

Në Viti deri më tani janë konfirmuar 353 raste pozitive me coronavirus. 260 janë shëruar, ndërkaq 67 persona po përballen ende me coronavirusin.

“Nga fillimi i pandemisë kemi 353 te konfirmuar pozitiv. Prej tyre 260 janë shëruar, 67 i kemi aktiv. Për momentin kemi 14 të hospitalizuar, 2 janë në gjendje më të rëndë, tjerët janë në gjendje më të mirë”

“Pacientët tjerë që janë aktiv, disa janë me terapi që trajtohen në QKMF-Viti dhe nëpër shtëpi, varësisht nga rasti. Disa të tjerë janë me terapi orale dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm me ta, ku i kemi udhëzuar që në rast të komplikimeve të na lajmërohen në çdo kohë”, ka thënë Kadolli.

Ndërkaq për dallim nga Peja, Vitia e Ferizaj, Komuna e Gjilanit është e kënaqur me numrin e testimeve që po kryen atje IKSHPK.

Arbër Ismajli, nënkryetar i Gjilanit, ka thënë për Express se mostrat po merren për të gjithë ata që kanë nevojë të testohen.

“Numri i testimeve në Gjilan është i mire dhe po merren mostrat për të gjithë ata që kanë nevojë. Sipas ekipeve mjekësore gjendja e pacientëve në hospitalizim është e mirë në monitorim të vazhdueshëm nga ekipet mjekësore ndërsa pacientët që janë në vetizolim janë mirë me shëndet”, ka deklaruar Ismajli.

Ndërkohë, Ismajli ka treguar se momentalisht në Gjilan janë 176 raste aktive me koronavirus.

“Nga fillimi i pandemisë janë 867 raste në Gjilan, momentalisht aktive i kemi 176 raste ndërsa të shëruar kemi 652 në total, kemi 39 raste të vdekjeve”, ka thënë Ismajli.

Ndërkaq në komunën e Malishevës, atje ku dikur kishte më së shumti raste aktive me COVID-19, tani janë vetëm 31 persona të infektuar.

“Nga data 14 mars e deri më sot, me covid-19, janë prekur 212 persona, prej tyre 162 janë shëruar, 31 raste janë aktive, ndërsa 19 persona kanë vdekur”, kanë bërë të ditur nga kjo komunë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës mesditën e së mërkurës ka publikuar të dhënat e fundit rreth situatës me COVID-19 në vend.

Sipas IKSHPK’së, janë shënuar 112 raste të reja me koronavirus, gjashtë persona kanë vdekur ndërkaq 131 të tjerë janë shëruar.

Aktualisht në vend janë 3 mijë e 251 raste aktive me koronavirus.

539 persona kanë vdekur si pasojë e COVID-19, ndërkaq numri total i personave të shëruar ka shkuar në 9 mijë e 923.

Comment here