Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

Grenell zbulon: Nuk jam paguar asnjë cent për punën me Kosovën e Serbinë

Emisari i SHBA’së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka thënë se nuk ishte i angazhuar në fushatën e presidentit Donald Trump dhe se nuk është paguar asnjë cent për punën e bisedimeve Kosovë-Serbi.


Këtë e zbuloi ai në një video-konferencë me përfaqësuesit e mediave, kjo pak para takimit të ardhshëm në Shtëpinë e Bardhë.

“Unë nuk u bashkova me fushatën e Trumpit. Nuk jam paguar asnjë cent për punën që lidhet me Kosovën dhe Serbinë. Unë u bashkova me RNC-in si një këshilltar special, por kjo nuk është për fushatën e Trumpit, kështu që ju gabuat në këtë front”, tha Grenell, siç thuhet në transkriptimin e bisedës, raporton kosovoonline.

Grenell ka bërë të ditur se pret që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje ekonomike në takimin që pritet të mbahet nesër në kryeqytetin amerikan, Washington.

Ndryshe, delegacioni i Kosovës në këtë takim përbëhet nga kryeministri Avdullah Hoti, zëvendëskryeministrat Driton Selmanaj dhe Albulena Balaj, ministrat Selim Selimi dhe Arban Abrashi, Meliza Haradinaj dhe koordinatori nacional Skënder Hyseni.

Prijës i grupit të Serbisë do të jetë presidenti, Aleksandër Vucici, drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën, Marko Djuric, Ministri i Financave, Sinisa Mali dhe Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Marko Cadez./

Comment here