Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

Hapja e shkollave planifikohet në tri faza, por ende s’ka vendim përfundimtar

As sot nuk është marrë vendimi se si do të fillojë procesi mësimor për këtë vit shkollor, megjithatë Ministria e Arsimit dhe Shkencës përmes master-planit parasheh që mësimi të fillojë në tri faza, më 1, më 7 dhe më 10 shtator.


Në takimin e sotëm të kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti, ministrave të qeverisë me kryetarët e Komunave të Kosovës, u bë e ditur se vendimi përfundimtar do të merret nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, tha se vendimin e ka të gatshëm, por që do të miratohet, ose sot, ose në mbledhjen e radhës të Qeverisë së Kosovës, derisa ka treguar planin se si është paraparë të fillojë procesi mësimor.

“Viti i ri shkollor të fillojë me datën 1 shtator për parashkollorët, klasat 1, 2, 3, pastaj edhe për klasën 6 dhe 9 në fazën e parë, në fazën e dytë të fillojë me datën 7 shtator për klasën e 4, 5, ndërsa në fazën e tretë të fillojë me datën 10 shtator për klasat 7, 8, 9 dhe 11, 12. Natyrisht sipas tre skenarëve të paraqitur dhe nivelit të rrezikshmërisë. Ndërsa, task forcat e komunës së bashku me task forcat e shkollave duke u bazuar në kapacitetin infrastrukturor, pastaj në bazë të respektimit të masave mbrojtëse sipas udhëzuesve që e kemi hartuar bashkë me IKSHPK-në ata vendosin se cilin skenar e përdorin, ka DKA dhe ka Komuna që i kanë bërë përgatitjet dhe kanë infrastrukturë të mjaftueshme dhe ata dëshirojnë dhe mund ta zbatojnë skenarin A, natyrisht që ky është një plan dinamik dhe varet nga situata epidemiologjike…Mësimi për disa kategori për nxënësit 7, 8, 9, 11 dhe 12 mund të jetë mësim i kombinuar dy ditë shkollë dhe tri ditë në shtëpi. I kemi bërë edhe përgatitjet për mësimin në distancë”, tha ai.

Likaj tha se për çdo ditë do ta përcjellin gjendjen epidemiologjike, ndërsa theksoi se bashkë me IKSHPK-në planet nuk mund t’i bëjnë më gjatë sesa për dy javë.

Rreth mundësisë së testimit të mësimdhënësve para fillimit të vitit të ri shkollor, Likaj tha se kanë kërkuar që të paktën të jenë 5 mijë teste për mësimdhënësit dhe nxënësit, por tha se kapacitetet aktualisht janë të limituara.

Ai tregoi se do të angazhohen 1 mijë mësimdhënës të cilët do të shërbejnë si zëvendësime për mësimdhënësit e sëmurë.

Ditë më parë IKSHPK ka paraqitur rekomandimet se si duhet të zhvillohet procesi mësimor, e kreu i Arsimit tha se jo të gjitha shkollat i plotësojnë ato kritere

“Të gjitha shkollat e Kosovës nuk kanë kapacitet infrastrukturor sipas rekomandimeve që i ka dhënë Instituti. Për këtë arsye ekziston edhe një plan ose janë ndarë 10 milionë (euro) mjete nga Qeveria e Kosovës që do t’i shkojnë si subvencione komunave për të reaguar konform situatës, diku intervenohet në shëndetësi, diku në nyje sanitare të shkollave për t’iu mundësuar komunave që t’i marrin masat parandaluese. Masat mbrojtëse të gjithë duhet të kontribuojmë, ministria ka kontribuar me një kontingjent dhe do të vazhdojë të kontribuojë, një pjesë është nga partnerët dhe donatorët. Për mësimdhënësit dhe nxënësit e klasave të para është siguruar por nuk është e mjaftueshme kjo ndihmë duhet të jetë e vazhdueshme, pjesën tjetër do ta mbulojnë DKA dhe vet nxënësit dhe prindërit”, tha ai.

Për fillimin e vitit të ri shkollor, ministri Likaj tha se ka filluar shpërndarja e teksteve shkollore dhe se pret që i gjithë procesi të përfundojë deri më 1 shtator.

Duke qenë se në kohën kur në vend është mbajtur mësimi në distancë një numër i madh i nxënësve nuk kanë pasur mundësi që të ndjekin mësimin online, Likaj tha se si ministri buxhetin që e kanë pasur e kanë shpenzuar për të blerë tabletë për ata nxënës. Ndërsa, tha se edhe donatorë të ndryshëm kanë kontribuar në këtë pjesë.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, tha se masterplani i MASH do të kalojë përmes qeverisë për hapjen e shkollave. Ai shtoi se do të ketë ndihmë të mjaftueshme për komunat për të organizuar procesin mësimor.

“Mastër plani do të kalojë në qeveri së shpejti dhe vendimin pastaj do ta merr Ministria e Arsimit, duke i zhvilluar protokollet që tregojnë hap pas hapi se çka ndodh në secilën prej shkollave varësisht prej numrit të nxënësve për klasë, numrit total në shkollë. Sa i përket buxhetit, Komunat kanë në dispozicion 29 milionë euro për t’i shpenzuar për nevojat e tyre në menaxhim të pandemisë edhe të fushës së arsimit dhe 10 milionë euro shtesë që i kemi ndarë për komunat për t’iu shpërndarë drejtpërdrejtë komunave për të menaxhuar me këtë situatë, plus janë edhe 10 milionë euro shtesë në Ministrinë e Arsimit për të bërë përgatitjet e nevojshme për mësimin online dhe përgatitje të tjera. Por, nuk është fare çështje buxheti, është procedura që duhet të ndjekim dhe përgatitjet që duhet të bëjnë se tash siç po e shihni shtrohet nevoja për kritere shumë më strikte sa i përket pastërtisë së shkollave”, tha ai.

Sa i përket fillimit të vitit shkollor, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se ka drojë që të bëhet hapja e shkollave me 46 mijë nxënës në hapësira të mbyllura. Megjithatë, ai tha se i kanë bërë përgatitjet e duhura.

“Si kryetar komune kam drojë pak nga hapja e shkollave me 46 mijë nxënës në hapësira të mbyllura, pak është problem po flas sa i përket komunës së Prishtinës…Përafërsisht po, ne kemi përgatitur si Komunë e Prishtinës na është kërkuar të draftojmë disa protokolle të cilat i kemi bërë edhe për çerdhe, besoj që i kemi bërë edhe për shkolla, i kemi ndihmuar shumë ministrisë në këtë drejtim, por po e them prapë se prapë me të gjitha masat e sigurisë i shihni edhe shtetet e zhvilluara i vendosin krejt masat e sigurisë, por nuk mundesh t’i kontrollosh fëmijët gjatë gjithës kohës që i respektojnë masat sikur janë maskat, distanca e krejt ato, nuk po munden të mëdhenjtë e të moshuarit t’i respektojnë e lëre më fëmijët që nuk e kanë parë njëri tjetrin, prandaj po e them duhet të vazhdojmë me kujdes”, tha ai.

Në këtë takim të kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti me kryetarët e Komunave është diskutuar edhe për gjendjen me pandeminë, si dhe mbështetjen financiare për komunat për të menaxhuar me pandeminë COVID-19.

Comment here