Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

Haziri: Bashkimi i Luginës me Kosovën nuk e dëmton askënd

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, thotë se vazhdon ta mbrojë idenë e tij se Lugina e Preshevës duhet t’i bashkohet Kosovës dhe të zgjidhen problemet që kanë shqiptarët në shtetin serb.


Ai tha se shqiptarët e Luginës kanë duruar politikisht që një kohë të gjatë, prandaj është edhe koha kur duhet t’u ofrohet zgjidhja nga shteti i Kosovës.

“Unë po e mbroj kauzën time sepse është e drejtë legjitime dhe fundja Kosova e ka obligim që të mbrojë të drejtat politike të shqiptarëve në lindje të Kosovës sikurse duhet mbrojtur në tërë territorin e vet. Ne duhet herët a vonë të zgjidhim problemin e tyre sepse është problem i yni, nuk jemi ne dhe ata. Padrejtësisht kanë mbetur edhe për shkak të parimeve të Kosovës vjeneze mbetur jashtë kufijve të vitit 1974”.

“Natyrisht, ata kanë treguar edhe durim politik, solidaritet, mirëkuptim dhe po presin që një ditë po presin t’iu bëhet zgjidhja atyre. Kjo nuk po bëhet në dëm të askujt dhe aq më pak në dëm të Kosovës, përkundrazi ajo bëhet më e begatë dhe më e madhe”.

Haziri në Edicionin Special tha se komunat shqiptarë kanë të drejtë të vendosin për t’u bashkuar me Kosovën dhe si këmbim mund t’i jepen Serbisë Leposaviqi me 17 fshatra që sipas tij nuk e prekin asnjë familje shqiptare.

“Veriu në Kosovë, aty ku e ka vendin dhe ku e ka pasë gjithmonë. Parimi i kufijve komunalë nuk preket në pjesën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit sepse parimi i kufijve komunalë e determinon dhe parimi i pronës private se kujt i takon dhe parimi kadastral. Këta janë tri parimet kryesore që shumica shqiptarëve atje e kanë të drejtën e vendosjes dhe ata kanë vendosur edhe me referendum më herët”.

“Ndërsa, Leposaviqi me 17 fshatra që i është bashkangjitur Mitrovicës së Kosovës në kohë të vjetra ka qenë pjesë e pandashme e Kosovës, por është pjesë që s’e prek asnjë familje, pronë apo shqiptar. Kjo është zgjidhja më e drejtë e të dy palëve”.

Nënkryetari i LDK-së tha se zgjidhja e problemeve me Serbinë bëhet vetëm në mënyrë paqësore, por se edhe kësaj kauze të tij nuk duhet t’i frikësohen.

“Nuk e di pse duhet me pasë frikë nga kjo zgjidhje sepse problemi që kemi me Serbinë është territorial dhe ai i luftës. Këto zgjidhen vetëm me bisedime paqësore. Serbia ka opsione të tejra. Ajo s’e ka pranuar as këtë Kosovë që është sot sepse ata punojnë që ta kthejnë Kosovën në administrim të plotë”.

Comment here