Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

I vetmi zyrtar në Kosovë që s’mund të shkarkohet

Një zbrazëti ligjore, në statutin e Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, është përdorur si argument nga Inspektorati i Punës për të anuluar vendimin për shkarkimin e drejtorit të këtij institucioni, Basri Sejdiu.


Shkalla e parë e Inspektoratit të Punës ka vendosur që ta kthejë Sejdiun në pozitën nga e cila e ka shkarkuar Bordi i SHSKUK-së, për shkak që Bordi nuk ka kompetenca ligjore ta bëjë një gjë të tillë.

“Në vendimin në fjalë, Bordi ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative, neni 21 paragrafi 1: Kompetenca lëndore e organit publik përcaktohet me ligj. Domethënë, Bordit Drejtues nuk i është dhënë kjo e drejtë, dhe me këtë rast ka qenë jokompetent për shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së”, thuhet në vendimin e Inspektoratit, raporton KTV.

Inspektorati i Punës citon statutin e SHSKUK-së, i cili në asnjë rast nuk e parasheh shkarkimin e drejtorit.

Neni 13 parasheh veç një rrethanë, që për shkak të performancës së keqe mund të “ndëshkohet” drejtori. Në të tilla raste parashihet që pas përfundimit të mandatit të parë të mos i vazhdohet mandati i dytë, por jo shkarkimi para përfundimit të mandatit.

“Drejtori i Përgjithshëm emërohet nga Bordi Drejtues në kohëzgjatje prej tre (3) vjetësh me mundësi të rizgjedhjes në rastin e performancës së dalluar”, thuhet në statut të IKSHPK-së.

Me këtë bazë ligjore, drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së mbetet njeriu i vetëm në Kosovë që nuk ka të drejtë askush ta shkarkojë. Kjo për shkak se me riorganizimin e SHSKUK-së dhe me Ligjin për Shëndetësi, organi i vetëm kompetent për mbikëqyrjen e drejtorit është bordi.
Por kur është hartuar statuti i SHKUK-së, tek pjesa e kompetencave të Bordit nuk është përmendur fare mundësia e shkarkimit të drejtorit.

Vendimi i Inspektoratit, megjithatë ka gjetur shkelje edhe përmbajtjesore tek vendimi i Bordit.

Problemet me organogram dhe gjetjet e raporteve të auditimit sipas Inspektoratit nuk lidhen drejtpërdrejt me punën e drejtorit të përgjithshëm, e sipas këtij institucioni të hyrat e SHSKUK-së janë rritur në kohën e Sejdiut.

Sejdiu është shkarkuar para disa javësh nga Bordi i ShSKUK-së. Ai ishte bërë drejtor në kohën kur shëndetësia udhëhiqej nga Uran Ismaili i PDK-së.

Comment here