Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

Kabashi: Takimi i Washingtonit nuk mund të përfundojë pa marrëveshje, do të kërkohet edhe njohja e Kosovës nga Serbia

Drejtori i Gazetës Online ‘Reporteri.net’, Bekim Kabashi, ka thënë se administrata Presidentit Trump nuk do të lejojë që takimi i Washingtonit të përfundojë pa ndonjë marrëveshje, meqë sipas tij ky do të ishte dështim i vet presidenti Donald Trump i cili tashmë është në fushatë elektorale.


Gazetari dhe analisti politik, Bekim Kabashi, në ‘Debat Plus’ ka thënë se strategjia amerikanë është që marrëveshja finale të arrihet nëpërmjet marrëveshjeve ekonomike.

Kabashi ka thënë se SHBA është sponsori kryesor i shtetit të Kosovës dhe herët ose vonë do të kërkojë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Madje, sipas tij kjo as nuk është diçka e re.

“Edhe në këta rast nëse e shikojmë retorikën e Serbisë është pak kontradiktore ose për konsum të brendshëm pasi që Serbia në ketë rast asaj i kërkohet të heq dorë nga Kosova ose e drejta e saj e pretenduar për ta konsideruar Kosovën pjesë të saj siç vazhdon ta konsiderojë. Presidenti serb po komunikon me publikun serb duke i çuar në nivel të lartë kërkesat amerikane të cilat po kontestohen nga pala amerikane pavarësisht se kërkesa për njohje nga ana e SHBA nuk është diçka e re. Amerika është sponsori kryesor i këtij shteti dhe është e qartë që kërkesa e SHBA nëse jo në këtë takim në takimin e radhës është për ta njohur pavarësinë e Kosovës sepse nuk ka finale tjetër”, tha Kabashi.

Ai duke folur për investimet e mundshme miliardhëshe nga SHBA ka thënë se askush nuk do t’i refuzonte investimet amerikane por nuk do të duhej të shihej se oferta amerikane është pa ndonjë kushtëzim.

“Amerikanët do të ofrojnë ndoshta edhe miliarda por sigurisht do t’i kushtëzojnë me marrëveshje politike në ndonjë fazë. Nëse Kosova dhe Serbia nuk ka gatishmëri të arrijnë një marrëveshje meqë problemi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është krejtësisht politik atëherë nuk do t’i marrin as miliardat e premtuara. Kjo është strategji e administratës amerikane që problemet t’i zgjidh përmes formës ekonomike”, shtoi ai në TV Dukagjini.

Comment here