Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

Këndvështrimet nga Ballkani Perëndimor për ngjarjet në Bjellorusi, Kosova përkrah masat e perëndimit

Shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë një qëndrim të përbashkët për situatën në Bjellorusi dhe protestat e përditshme në të cilat kërkohet dorëheqja e Alyaksandr Lukashenkas, përsëritjen e zgjedhjeve të kontestuara për president në të cilat ai ka marrë mandatin e gjashtë, si dhe ndërprerjen e dhunës ndaj demonstruesve.

Kosova “dënon dhunën e ushtruar nga autoritetet në Bjellorusi” dhe i është bashkuar thirrjes së aleatëve që palët të diskutojnë për dalje paqësore.

Marrë parasysh marrëdhëniet tradicionalisht të mira me autoritetet e Bjellorusisë, autoritetet në Serbi tash për tash janë duke heshtur, ndërkaq që nga Bosnja e Hercegovina, anëtari i presidencës së këtij vendi Millorad Dodik e ka uruar Lukashenkan për “zgjedhjen e sërishme për president të Bjellorusisë”.

Maqedonia e Veriut që ka mbështetur sanksionet e paralajmëruara nga BE-ja ndaj Bjellorusisë për shkak të shtypjes së dhunshme të protestave, ndërsa Mali i Zi ka dhënë porosi se janë duke e përcjellë me shqetësim zhvillimin e situatës.

Kosova po i përcjell zhvillimet në Bjellorusi

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë në një prononcim për Radio Evropa e Lirë thotë se e përkrah qëndrimin dhe masat e aleatëve perëndimorë përballë Bjellorusisë, njëherësh uron që populli bjellorus të përqafojë vlerat prosperuese, evropiane dhe demokratike.

“Republika e Kosovës është duke i përcjellë me vëmendje zhvillimet e fundit në Bjellorusi”.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës dënon dhunën e ushtruar nga autoritetet për të shtypur protestat popullore të drejtuara nga opozita bjelloruse”.

“Republika e Kosovës i bashkohet thirrjes së aleatëve që palët të diskutojnë për dalje paqësore nga kriza që sollën zgjedhjet e 9 gushtit”, shtohet në këtë deklaratë.

Ndryshe, Bjellorusia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Lidhjet dhe bashkëpunimi miqësor i Serbisë me Bjellorusinë

Nga Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë nuk janë përgjigjur në pyetjen e Radios Evropa e Lirë se cili është qëndrimi i Beogradit zyrtar lidhur me zhvillimet në Bjellorusi.

Ndonëse, pas zgjedhjeve në një shtet, gjithmonë dërgohen urimet për fituesin e zgjedhjeve, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deri më tash nuk e ka uruar Lukashenkan për fitoren e kontestuar zgjedhore.

Lidhur me protestat në kryeqytetin e Bjellorusisë, në Minsk dhe në qytetet tjera, ka folur vetëm ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, por vetëm në kontekstin e demantimit të informatave nga rrjetet sociale se ushtarët e Serbisë po marrin pjesë në demonstratat në Bjellorusi.

Fotografitë që shfaqin praninë e pretenduar të ushtarëve serbë në Minsk dhe në qytetin bjellorus Brest, i ka publikuar më 15 gusht analisti nga Bjellorusia, Franak Vyachorka, duke theksuar që kjo do të mund të nënkuptojë që ata kanë marrë pjesë në protestat, të cilat ka disa ditë që po mbahen në Bjellorusi.

Vulin, të njëjtën ditë, në komunikatë ka theksuar që fotografitë e caktuara janë bërë në vitin 2018, gjatë ushtrimeve të përbashkëta ushtarake të ushtrisë dhe policisë në Kralevë të Serbisë.

“Aktualisht, në Bjellorusi, në Brest janë 9 pjesëtarë tanë, të izoluar në një poligon ushtarak, ku po përgatiten për disiplinën ‘Kufiri i snajperit’”, theksoi Vulin.

Bëhet fjalë për një garë në Bjellorusi, në kuadër të Lojërave ndërkombëtare ushtarake nën ombrellën e Rusisë, në të cilën marrin pjesë edhe snajperët e Ushtrisë së Serbisë.

Serbia dhe Bjellorusia kanë marrëdhënie tradicionalisht të mira, ndërkaq Lukashenka ka qenë në Beograd për herë të fundit në dhjetor të vitit 2019.

Asokohe ishin nënshkruar disa marrëveshje bilaterale, ndërkaq marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve janë vlerësuar si mjaft shkëlqyera, të sinqerta dhe miqësore, me “falënderimin” e autoriteteve serbe për faktin që Bjellorusia nuk e ka njohur Kosovën.

Lukashenka, në një konferencë të përbashkët me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë që popujt serb dhe bjellorus janë “të bashkuar me lidhje shekullore dhe me vizionet e përbashkëta të së ardhmes”.

“Ne i shohim ngjashëm zhvillimet botërore dhe e mbështesim integritetin territorial të Serbisë. Nëse mund të ndihmojmë, na thuani. Ne llogarisim në mbështetjen e Serbisë për çështje parimore për ne”, ka thënë Lukashenka më 3 dhjetor 2019 në Beograd.

Presidentët e Bjellorusisë dhe Serbisë, Lukashenka dhe Vuçiq, më parë ishin takuar në Minsk, në qershor të vitit 2019. Vuçiqi atëherë e kishte falëndëruar Lukashenkan për donacionin prej katër MIG-29 të përdorur, si dhe çmimet e ulëta për rregullimin e tyre dhe paralajmëroi avancimin e bashkëpunimit të dy shteteve në fushën e mbrojtjes.

Bjellorusia i kishte dhënë donacion Serbisë katër aeroplanë të përdorur MIG-29, të cilët në shkurt të vitit 2019 ishin prezantuar në Bjellorusi. Megjithatë, detajet e këtij donacioni nuk janë të njohura për publikun, sepse kontratat për donacione të pajisjeve ushtarake, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë i ka shënuar si “sekrete”.

Që nga viti 2015, Serbia merr pjesë në ushtrimet ushtarake të përbashkëta të Rusisë dhe Bjellorusisë “Vëllazëria sllave” dhe dy herë ka qenë nikoqire e këtyre ushtrimeve (në vitet 2016 dhe 2019).

Përderisa zyrtarët serbë nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë, organizatat joqeveritare të caktuara në Serbi i kanë mbështetur demonstruesit në Bjellorusi.

Me fotografinë “Qëndrojmë pranë Bjellorusisë”, Qendra për të drejta të njeriut në Beograd, në profilin e saj në Instagram ka publikuar porosinë “Me mbështetjen, luftën dhe forcën e rinisë. Për të vërtetën, mirësinë dhe vlerat e vërteta”.

Bojan Stojanoviq nga kjo organizatë joqeveritare ka thënë për Radion Evropa e Lirë që kur bëhet fjalë për “shkeljen flagrante të të drejtave të njeriut, çdo qeveri serioze do të duhej të ishte e kujdesshme për ruajtjen e marrëdhënieve, gjegjësisht për distancim nga veprat e tilla”.

“Sjellja e autoriteteve të Serbisë në raport me Lukashenkan nuk është jologjike duke pasur parasysh bashkëpunimin shumëvjeçar dhe mbështetjen dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, veçanërisht duke pasur parasysh që diplomacia e Serbisë është mjaft e bazuar në atë që të kihet kujdes që të mos kritikohen vendet që e mbështesin politikën e Serbisë ndaj Kosovës”, theksoi Stojanoviq.

Aktivistet dhe aktivistët e Iniciativës së të rinjve për të drejta të njeriut (YIHR) e kanë shprehur mbështetjen për demonstrantët duke hedhur lule para hyrjes së Ambasadës së Bjellorusisë në Beograd. Më 14 gusht, ata kanë porositur që “nuk ka miqësi me presidentin e atij vendi, Lukashenkan”, i cili, siç thanë ata “po i sakrifikon jetët e liritë e qytetarëve në mënyrë që gjithmonë të mbijetojë në pushtet”.

Nga presidenti (Vuçiq) dhe kryeministrja e Serbisë (Ana Bërnabiq) YIHR-ja ka kërkuar që të anulojnë stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Bjellorusinë, si dhe që “Serbia t’i bashkohet nismës ndërkombëtare, nën udhëheqejn e Bashkimit Evropian dhe shteteve të saj anëtare, që të gjendet një dalje paqësore nga kriza që është shkaktuar me falsifikimin e rezultateve zgjedhore në zgjedhjet bjelloruse”.

Comment here