Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

Këto klasa fillojnë mësimin nga e hëna

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Likaj, ka prezantuar dje vendimin për fillimin e vitit të ri shkollor, i cili do të organizohet në dy faza.


Sipas një njoftimi të MASHT’it, faza e parë, në të cilën janë përfshirë niveli parashkollor dhe klasat 1,2,3,6 dhe 10 fillon mësimin të hënën, më 14 shtator sipas skenarit A (me prezencë në shkollë), ndërsa klasat 4 dhe 5 fillojnë mësimin në të njëjtën datë, sipas skenarit A ose B, pra me prezencë në shkollë, ose mësim të kombinuar, varësisht nga kapaciteti i shkollës në përputhje me vlerësimin e task forcës në nivel të DKA-së dhe shkollës.

Ndërkohë, faza e dytë, fillon më 21 shtator, në të cilën përfshihen klasat, 7, 8, 9, 11 dhe 12, sipas skenarit B, pra dy ditë në shkollë dhe tri ditë mësim online dhe në distancë.

Zëvendësministri i Arsimit në Kosovë, Xhavit Rexhaj, ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vit të ri shkollor për disa klasë, më 14 shtator.

Përgatitjet shtesë kanë qenë të nevojshme, për të ofruar siguri në kohë të pandemisë.

Megjithëkëtë, nëse një nxënës brenda klasës infektohet me koronavirus, zëvendësministri Rexhaj thotë se e kanë paraparë që të gjithë ata nxënës, që kanë qenë rast kontakti, të kalojnë në mësim online, në mënyrë që të mos shpërndahet sëmundja COVID-19, që shkakton ky virus.

“Nuk lirohen nga mësimi nxënësit, por e gjithë klasa kalon në mësim online nëse ka raste të nxënësve të infektuar. Derisa sa i përket mësimdhënësve, Kosova ka rreth 3 mijë mësimdhënës tepricë, dhe meqë bëhet dyfishimi i orëve për shkak të ndërrimeve dhe mësimit online, ne u kemi siguruar komunave përkrahje që deri në një mënyrë të kompensohet vëllimi i shtuar i punës’’, tha Rexhaj.

Comment here