Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

Komuna e Gjakovës ndan 100 mijë euro për teste serologjike, testimi synohet të nisë javën e ardhshme

Komuna e Gjakovës ka ndarë rreth 100 mijë euro për të blerë 10 mijë teste serologjike përmes së cilave synon të testojë qytetarët e saj. Drejtori i Shëndetësisë së Komunës së Gjakovës, Ferdinand Kolaj, në një intervistë për KosovaPress, tha se pritet që javën e ardhshme të mbërrijnë këto teste


Momentalisht, vetëm Komuna e Prishtinës realizon teste serologjike. Saktësisht, Komuna e Gjakovës thotë se do të ketë në dispozicion 5 mijë teste IGG dhe 5 mijë të tjera IGM të cilat ndër të tjera do të tregojnë nëse një person ka krijuar antitrupat ndaj COVID-19.

E këto testime, Kolaj thotë për KosovaPress se do të realizohen menjëherë sapo të mbërrijnë të njëjtat dhe që do të kryhen në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

“Komuna e Gjakovës ka marrë vendim që të kemi teste serologjike që do të kryhen në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare. Jemi në procedurë, janë ndarë 100 mijë euro për këtë punë. Jemi në pritje, do të thotë është çështje ditësh kur do të fillohet edhe me implementimin e këtij projekti, domethënë në luftën ndaj COVID-it është edhe pjesa e testeve serologjike e cila do të na ndihmojë të shohim sa kemi infektimin e popullatës dhe do të kemi testet IGG dhe IGM që do të tregojnë nëse pacienti e ka, ose e ka kaluar virusin, dhe nëse është brenda, a ka krijuar antitrupa”, deklaroi Kolaj.

Aktualisht, për t’i dalë në ndihmë Spitalit Rajonal “Isa Grezda”, Komuna e Gjakovës e ka shndërruar Qendrën e Mjekësisë Familjare “Emin Duraku” në pikën ky i jepet ndihma të gjithë atyre që janë pozitiv me COVID-19.

Më përpara, edhe një kontroll i personave të dyshuar ose me COVID-19 që nuk kanë pasur nevojë të hospitalizohen janë detyruar që të marrin shërbimet në spital. Kjo ngarkonte edhe më tepër këtë institucion të nivelit sekondar.

“Ideja ka qenë që qendrën ‘Emin Duraku’ ta krijojmë një qendër vetëm për personat që janë me COVID, po që nuk janë të hospitalizuar, por këta pacientë kanë nevojë për terapi orale, që është caktuar nga specialisti, dhe ka pasur raste kur është dashur që një pacient të qëndrojë në spital vetëm pse ka pasur terapi, e ndoshta s’ka qenë me patjetër që të qëndrojë në spital. Ne kemi vendosur që ‘Emin Durakun’, si QMF që është, ta kthejmë vetëm në shërbim të pacientëve që janë me pozitiv”, ka thënë Kokaj.

Drejtori i Shëndetësisë së Komunës së Gjakovës thotë se përpos shërbimeve në spital dhe QMK, personat e infektuar do të kontaktohen vazhdimisht edhe nga një ekip mobil që është ngritur posaçërisht për këtë gjë.

“Ne kemi vendosur që të shkojmë edhe një hap më larg, duke pasur parasysh që do të ketë pacientë të cilët do të dalin pozitivë, nuk ka kushte, apo një mënyrë tjetër, kemi vendosur që të kemi një ekip mobil të cilët do të shkojnë në shtëpi dhe do t’i japin terapinë që kanë të nevojshme, dhe kohë pas kohë qendra e mjekësisë familjare i kontakton të gjithë personat që janë pozitivë, po që nuk janë në spital dhe i pyet për gjendjen e tyre dhe a kanë nevojë për diçka”, ka thënë Kolaj.

Drejtori i Shëndetësisë së Komunës së Gjakovës, Ferdinand Kolaj, në lidhje me mungesën e oksigjenit në Spitalin e Gjakovës që kishte ndodhur kohë më parë, tha se ato probleme tashmë janë tejkaluar

Comment here