Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

Kosnett: Lidhja e kosovarëve me amerikanët e tejkalon politikën

Në kujtim të viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit në SHBA, kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani bashkë me ambasadorin amerikan Philip Kosnett kanë vendosur kurora me lule te pllaka përkujtimore e 11 shtatorit.

Ambasadori amerikan në Kosovë ka thënë se lidhja që e kanë shqiptarët me amerikanët është shumë e fuqishme dhe e tejkalon politikën, njofton Klan Kosova.

“Sot është një rikujtim jo vetëm i ngjarjes së tmerrshme të 11 shtatorit të vitit 2001, por edhe i partneritetit të ngushtë dhe të qëndrueshëm që kanë populli i SHBA-ve dhe Kosovës. Ky partneritet tejkalon politikën. Për dy dekada, populli i SHBA-ve dhe Kosovës kanë qëndruar bashkë për ta luftuar terrorizmin dhe duke provuar ta ndërtojnë një të ardhme me paqe, drejtësi dhe prosperitet për popujt e të dyja vendeve, si dhe fqinjtë tanë”.

Kosnett ka thënë se për viktimat e këtij sulmi terrorist duhet të kërkohet drejtësia, derisa ka kërkuar që të punohet për një të ardhme më të mirë.

“Është e rëndësishme që kur kujtojmë një ditë të tillë kujtojmë sakrificat dhe humbjet, ashtu siç kujtojmë edhe kurajon e policëve, zjarrfikësve dhe të gjithë atyre që kanë qenë aty të parët. Kujtojmë edhe qëndresën e atyre që humbën familjarët e tyre dhe të të mbijetuarve të atyre ditëve të tmerrshme. Ua kemi borxh të gjithë atyre që të kujtojmë të kaluarën, të luftojmë për drejtësinë, por edhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë”.

Comment here