Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

Kurti: Tërheqja e 10% të Trustit, e rrezikshme

Kreu i VV-së, Albin Kurti, ka bërë të ditur se sot ka zhvilluar një takim virtual me siç e quan ai, një prej mendjeve më të ndritura të botës akademike për çështjet e zhvillimit ekonomik, profesorin Ha-Joon Chang nga Universiteti Cambridge në Mbretërinë e Bashkuar.


Kurti thotë se ky profesor do ta ndihmojë për programin dhe planin e Qeverisjes Alternative të VV-së.

Kurti thotë se një ndër shqetësimet kryesore të ngritura gjatë takimit 90 minutësh me profesorin Chang, ka qenë edhe propozimi i qeverisë për të lejuar tërheqjen e 10% të kontributeve nga Trusti pensional i Kosovës.

Kurti thotë se sipas profesorit Chang, ky propozim është po aq i rrezikshëm sa është edhe i pakuptimtë.

“Sipas vlerësimit të tij, një politikë e tillë jo vetëm se do të dështojë të ndihmonte pikërisht ata qytetarë që kanë më së shumti nevojë për mbështetje në këtë kohë pandemie, por edhe do t’i rrezikonte seriozisht kursimet pensionale të brezave të ardhshëm”, ka shkruar Kurti në Facebook

Postimi i plotë i Kurtit:

Zoom me Ha-Joon Chang

Në kuadër të përgatitjes së programit dhe planit të Qeverisjes Alternative, sot kam pasur nderin për të mbajtur një takim virtual me një prej mendjeve më të ndritura të botës akademike për çështjet e zhvillimit ekonomik, profesorin Ha-Joon Chang nga Universiteti Cambridge në Mbretërinë e Bashkuar. Ky profesor do të na ndihmojë për programin dhe planin tonë të Qeverisjes Alternative. Profesori Chang është ekonomist i famshëm për përpjekjet e tij për të përshkruar një verzion të kapitalizmit që eshtë jo vetëm më i barabartë por edhe më efiçient sesa ai me të cilin jemi mësuar. Librat e profesorit Chang, që disa vjet, kanë qenë një prej frymëzimeve për programin socio-ekonomik të Lëvizjes sonë.

Në takimin tonë 90 minutësh, kemi folur gjerë e gjatë, jo vetëm në nivelin e përgjithshëm, por edhe duke trajtuar në hollësi sfidat e posaçme me të cilat Kosova po përballet në këtë fazë të zhvillimit të saj, si dhe mundësitë e veçanta të cilat Republika jonë duhet t’i shfrytëzojë deri në maksimum, në mënyrë që të garantojmë suksesin tonë zhvillimor gjatë viteve të ardhshme.

Prof. Chang tha se ekziston zgjedhja midis varieteteve të kapitalizmit dhe se nga shtetet e tjera e kohërat e tjera duhet të mësojmë e të mos imitojmë.

Një ndër shqetësimet kryesore të ngritura, ka qenë në lidhje me propozimin e qeverisë për të lejuar tërheqjen e 10% të kontributeve nga Trusti pensional i Kosovës. Sipas profesorit Chang, ky propozim është po aq i rrezikshëm sa është edhe i pakuptimtë. Sipas vlerësimit të tij, një politikë e tillë jo vetëm se do të dështojë të ndihmonte pikërisht ata qytetarë që kanë më së shumti nevojë për mbështetje në këtë kohë pandemie, por edhe do t’i rrezikonte seriozisht kursimet pensionale të brezave të ardhshëm.

Në vend të këtij propozimi të cilin ai e konsideron jashtëzakonisht të papërgjegjshëm, profesori Chang ka propozuar një nismë tjetër për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës. Duke marrë parasysh fuqinë e madhe ekonomike dhe patriotike të mërgatës sonë, ai rekomandon që të krijohet për mërgimtarët mundësia për të investuar në të ardhmen e Kosovës përmes letrave me vlerë, përfitimi prej të cilave do të varej të paktën pjesërisht nga rritja ekonomike e vendit gjatë viteve të ardhshme. Në këtë mënyrë, Kosova do të mund t’i plotësojë nevojat e menjëhershme të qytetarëve në këtë kohë të vështirë dhe njëkohësisht t’i bëjë mërgimtarët hisedarë dhe aksionarë të vërtetë të së ardhmes së Kosovës, pa e rrezikuar fare mbijetesën e Trustit pensional apo institucioneve të tjera më jetike të Republikës sonë. Në parim, shumë më mirë e më lirë është të huazojë qeveria sesa qytetarët, sidomos në kohë krizash si kjo e tanishmja; në një vend me pak eksport e shumë import si Kosova futja e duarve në Trustin pensional vetëm sa e rrit deficitin tregtar, tha Chang

Gjatë javëve në vijim, Qeverisja Alternative, në konsultim me ekspertët më të shquar vendorë dhe botërorë, do të shpalosë edhe ide dhe propozime të tjera të kalibrit më të lartë të mundshëm. Në mungesë të një qeverie edhe minimalisht të aftë për t’u përballur me sfidat e konsiderueshme që po i hasim, qytetarët e Republikës së Kosovës meritojnë që subjekti politik më i madh i vendit të mos luajë rolin vetëm të opozitës, por të propozojë zgjidhje specifike, të mirëmenduara dhe të hollësishme për ta nxjerrë vendin tonë nga krizat shëndetësore, ekonomike dhe politike në të cilat gjendemi.

Bashkë me mua në këtë takim ka qenë ish këshilltari i kryeministrit për të drejtat e njeriut në qeverinë tonë, z. Tienmu Ma.

Zoom me Ha-Joon Chang Në kuadër të përgatitjes së programit dhe planit të Qeverisjes Alternative, sot kam pasur nderin…

Posted by Albin Kurti on Thursday, September 3, 2020

Comment here