Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

Mamitë në Kosovë në vështirësi gjatë pandemisë, 46 të infektuara me koronavirus

Mamitë që punojnë nëpër maternitete në gjithë Kosovën janë transferuar në shërbime më emergjente që lidhen me trajtimin e pacientëve me COVID-19.


Kryetarja e Shoqatës së Mamive të Kosovës, Magbule Elezi tregon për RTV Dukagjinin statistikat për numrin e mamive të prekura nga coronavirusi.

“Deri më tani kemi 46 mami që janë të prekura nga COVID-19. Disa nga to tashmë janë shëruar ndërsa të tjerat mbeten ende raste aktive. Kemi edhe mami të tjera që janë të izoluara si pasojë e kontakteve me pacientët e prekur”, tha ajo.

Elezi thotë se mamitë gjatë gjithë kohës janë në lëvizje në mënyrë që sipas saj të mos mbetet keq as shërbimi ndaj shtatzënave dhe lehonave.

“Realisht unë punoj në kujdesin intensiv në Klinikën e Gjinekologjisë, por tash e disa javë jam në shërbimin në Intensiven Qëndrore ku trajtohen pacientët me COVID-19”.

Elezi thotë se ka shumë mami që janë afër pensionimit dhe që rrezikojnë jetën e tyre por që ato nuk e kanë ndalur punën për asnjë moment.

Ndërsa Melihate Rexhepi, kryeinfermiere në klinikën ku trajtohen shtatzënat me COVID-19 thotë se ka nevojë për një numër më të madh të stafit.

Ajo thotë se deri më tani në këtë repart janë trajtuar 43 paciente dhe të njëjtat janë lëshuar në shtëpi në gjendje të rregullt.

Comment here