Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

Mësimi fillon edhe një javë: MASHT ende nuk e di cilat klasë do të shkojnë në shkollë

Derisa edhe pak ditë do të nisë viti shkollor, Ministria e Arsimit ende nuk ka treguar nëse më 14 shtator mësimi fillon për të gjitha klasat e nivelit parauniversitar apo vetëm për disa.


Drejtues të SBASHK-ut e njohës të çështjeve të arsimit i kanë bërë thirrje Ministrisë që sa më parë t’i bëjë të qarta këto detaje për të mos krijuar huti te nxënësit.

Edhe pse kanë mbetur një javë deri në fillimin e vitit shkollor, ende nuk është e qartë se cilat klasa do të fillojnë mësimin më 14 shtator.

Në fund të gushtit kur mësimi planifikohej të niste më 1 shtator, plani i Ministrisë së Arsimit ka qenë që javën e parë mësimi të fillojë vetëm parashkollorët, klasat e para, të dyta, treta, të gjashta dhe të dhjeta. Mirëpo, pas shtyrjes për dy javë të fillimit të vitit shkollor, Ministria nuk ka dhënë informacione nëse ky plan ka ndryshuar.

Në MASH nuk janë përgjigjur për të dhënë detaje rreth kësaj.

Nga ana tjetër, përfaqësues të sindikatës e njohës të çështjeve të arsimit vlerësojnë se MASH-i nuk duhet të shkaktojë paqartësi te nxënësit, por të dalë me qëndrime të qarta sa më parë.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, thotë se presin që në dy ditët e ardhshme Ministria të shpalosë informacione të detajuara për këtë proces.

E njohësi i çështjeve të arsimit, Halim Hyseni thekson se është shqetësues fakti që institucionet ende po merren me përgatitje të vitit shkollor pa plane konkrete.

Sipas masterplanit për vitin shkollor, të miratuar në qeveri, e i cili ende nuk është bërë publik nga Ministria e Arsimit, janë tri skenarë për fillimin e vitit shkollor.

Skenari i parë është që mësimi të zhvillohet në shkolla duke respektuar masat, skenari i dytë: mësimi i kombinuar në shkolla dhe nga distanca si dhe skenari i tretë mësimi vetëm nga distanca.

Comment here