Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

Ndërtimi i rrugës Deçan-Plavë, Shtetet e Quint-it kanë një kërkesë të përbashkët

Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë kanë kërkuar nga institucionet vendore që t’u përmbahen ligjeve të Kosovës për rastin e Manastirit të Deçanit.

Pas ankesave të këtij manastiri për punimet në rrugën Deçan-Plavë, punimet në rrugë u pezulluan. Ndërsa ambasadorët e huaj kanë kërkuar tani që të respektohet në veçanti Ligji për Zonat e Mbrojtura Speciale dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese që më 2016 i kishte njohur pronësinë e Kishës Ortodokse Serbe për 25 hektarët rreth Manastirit.

Në një komunikatë të përbashkët, shtetet e QUINT-it kanë njoftuar se sot janë takuar me kryetarin e komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, dhe Igumenin e Manastirit, Sava Janjiq.

“U bëjmë thirrje palëve që në përpikëri t’iu përmbahen ligjeve të Kosovës, në veçanti ligjit të vitit 2008 për Zonat e Mbrojtura Speciale, dhe të ngrenë çdo shqetësim të mbetur brenda kornizave të Këshillit Monitorues për Implementim (KMI), para se të ndërmarrin ndonjë veprim. Për më tepër, i nxisim autoritetet e Kosovës që të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 19 maj 2016, lidhur me kontestin pronësor në Deçan. Dhe në fund, kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që në mënyrë të shpejtë të zgjidhë çështjen e punimeve rrugore në përputhje me këto që u përmendën më lartë”, thuhet në komunikatën e tyre.

Comment here