Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

Osmani thotë se iniciativa e saj do të angazhohet në çkapjen e shtetit

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se iniciativa e re politike të cilën ajo është duke e menduar do të jetë vetëm angazhim i përkohshëm. Ajo ka thënë se është përjashtuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, përderisa nuk ka përjashtuar një rikthim në këtë parti.


Ajo ka kritikuar LDK-në duke thënë se është përjashtuar nga ata që “s’kanë mbrojtur parimet e LDK-së”. Sipas Osmanit, LDK-ja e ka dashur qëndrimin e saj vetëm në kohë zgjedhjesh.

Tutje Osmani ka thënë se iniciativa që ajo mund të formojë do të angazhohet “për çkapjen e shtetit, demokratizimin e vendit dhe hapjen e rrugës për profesionistët e vërtetë dhe njerëzit me integritet, që ta bëjnë këtë shtet ashtu siç e meritojnë qytetarët tanë dhe ta bëjnë këtë shtet një vend me të cilin ata do të mburren, e jo një vend nga i cili dëshirojnë të ikin”.

“Unë do të pres të shoh se çka do të ndodhë në LDK përgjatë këtyre viteve. Në qoftëse aty vërtet ka një lëvizje për reformim, i cili i sjell në pah njerëzit, të cilët e mbajnë fjalën publike, kanë përgjegjësi për fjalën publike, nuk përzihen me parti, të cilat janë shquar për krim e korrupsion, por janë vërtet të interesuar që nëpërmjet qeverisjes së pastër dhe qeverisjes vetëm me partnerë të tjerë të pastër ta bëjnë Kosovën shtet ku ka shpresë, sidomos për rininë tonë, atëherë natyrisht që unë do të rikthehem. Prandaj, edhe unë angazhimin në këto zgjedhje që mund të vijnë së shpejti, e shoh si një lloj angazhimi të përkohshëm, dhe është edhe një votë edhe për reformimin e LDK-së, sepse do të jetë një mesazh që LDK-ja vërtet duhet të reformohet, duhet të ndryshojë, duhet të hapet për njerëz të cilët e mbajnë fjalën dhe jo të konsiderohet se, ajo çka ka ndodhur prej 6 tetorit e tutje është normalitet”, ka deklaruar ajo.

Comment here