Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

Pompeo: SHBA-të të gatshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se Shtetet e Bashkuara e çmojnë marrëveshjen historike të arritur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti për normalizimin ekonomik mes dy shteteve.


Në një komunikatë të lëshuar nga Departamenti amerikan i Shtetit më 4 shtator, vlerësohet udhëheqja e kryeministrit Hoti dhe presidentit Vuçiq, e cila, siç thuhet, çon në rritjen e vendeve të punës për të rinjtë, si dhe vendos një tonalitet të ri të pajtimit në Ballkanin Perëndimor

“Marrëveshjet e sotme hapin mundësi të reja për bashkëpunime më të gjera. SHBA-ja rikonfirmon mbështetjen për negociatat e vazhdueshme midis Kosovës dhe Serbisë drejtë normalizimit të marrëdhënieve mes tyre”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, sekretari amerikan ka përgëzuar njohjen reciproke mes Kosovës dhe Izraelit si dhe vendimin e Serbisë për të vendosur ambasadën në Jerusalem.

Marrëveshja e arritur në Shtëpinë e Bardhë parasheh bashkëpunim ekonomik mes dy vendeve. Palët janë zotuar se do të zbatojnë një sërë marrëveshjesh të arritura tashmë, siç është ajo për autostradën mes Kosovës dhe Serbisë, ajo për hekurudhat dhe për linjën ajrore. Po ashtu, aty parashihet që Kosova dhe Serbia të përshpejtojnë përpjekjet për të lokalizuar dhe identifikuar mbetet e personave të humbur.

Në bazë të marrëveshjes të nënshkruar më 4 shtator në Uashington, Kosova do t’i bashkohet “zonës së mini-Schengenit”, që është krijuar më 2019 dhe ku tashmë marrin pjesë, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Sa i përket Liqenit të Ujmanit, në marrëveshje thuhet se palët do të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë për një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të këtij liqeni, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.

Ndërkaq, Kosova sipas marrëveshjes, po ashtu është pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Serbia, në anën tjetër, është pajtuar po ashtu që brenda një viti të ndalë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Comment here