Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

Presidenti Thaçi me Video-mesazh: Politika të mos ndërhyjë në drejtësi, as drejtësia në politikë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një video mesazhi ka njoftuar se do t’i kërkoi Kuvendit të Kosovës që “mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.


“Kam bindjen se deputetët e Kosovës do ta mbështesin këtë kërkesë të arsyeshme dhe mbetem thellësisht i bindur se, mbështetja e drejtësisë për të bërë drejtësi, e nderon Kuvendin e Kosovës dhe e rrit përgjegjësinë e shtetit te Kosovës”, ka thënë ai. Thaçi ka thënë se i ka ndjekur iniciativat dhe debatin që ka nisur mbi mundësinë e skadimit të afatit të Gjykatës Speciale.

“E dimë se në këto njëzet vite pas çlirimit, Kosovës nuk i kanë munguar gjykatat ndërkombëtare dhe speciale në llojin e tyre. Dhomat e Specializuara janë gjykata e pestë me radhë për pretendimet e njëjta, një rekord i llojit të vet në botë”, ka thënë ai.

Sipas tij, ne nuk mund të lejojmë që për fatin tonë, as sot e as në të ardhmen, të flasin e të vendosin shtetet që ishin kundër lirisë dhe shtetësisë sonë.

“Drejtësinë t’ia lëmë drejtësisë. Politika nuk duhet të ndërhyjë në drejtësi e as drejtësia nuk duhet të ndërhyjë në politikë. Kjo ka qenë bindja ime kur e kam mbështetur në çdo hap krijimin e gjykatave ndërkombëtare dhe të paneleve speciale në këto njëzet vite”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi me Video-mesazh: Viktimat po përbalten me dëshmitë e agresorit Presidenti Thaçi në video-mesazhin e tij ka theksuar se heshtja ndërkombëtare po kuptohet si aprovim i amnistisë për gjenocidin e shtetit të Serbisë kundër popullit të Kosovës.

“Viktima po damkoset e po përbaltet me dëshmitë e agresorit. Faktet e viktimave të njohura botërisht përbuzen e injorohen nga arbitri, në emër të një balanci të rrejshëm. E dimë se sa shumë dhe se sa padrejtësisht, për dy dekada me radhë, akuzat, shpifjet e fabrikimet e lloj-llojshme kundër luftës sonë, kundër UÇK-së, janë kthyer në çështje gjyqësore që pas vites torturuese, kanë rezultuar ashtu siç kanë qenë: Baltë mbi luftën tonë!”, ka thënë ai. Sipas tij, nuk mundet e nuk do ta harrojë kurrë, se Kosova e lirë, demokratike, shtet sovran, lindi nga dhimbjet e mëdha të një lufte që ne nuk e zhvilluam të vetmuar.

“Ne kishim në krah SHBA-në, NATO-n dhe demokracitë më të mëdha të botës. Pa këta miq të mëdhenj dhe aleatë strategjikë të pandarë në rrugën tonë, Kosova as nuk mund të ishte e pavarur dhe as nuk mund të bëhet anëtare e barabartë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, ka shtuar ai

Presidenti Thaçi ka pohuar se sado e dhimbshme, sado e gjatë, sado e padrejtë të duket në raste të caktuara, rruga e zbardhjes së çdo pretendimi për krime lufte si edhe rruga e pastrimit të njollave të vëna padrejtësisht mbi luftën tonë dhe veçanërisht mbi UÇK-në, nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç rrugës së drejtësisë. “Ne nuk mund të lejojmë që për fatin tonë, as sot e as në të ardhmen, të flasin e të vendosin shtetet që ishin kundër lirisë dhe shtetësisë sonë”, ka thënë ai

Comment here