Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

Qytetarët që s’kanë virus por telashe tjera shëndetësore ankohen se s’po merren parasysh në QKUK

Po iu drejtohen spitalit për të marrë shërbime mjekësore. Të njejtit nuk janë të prekur me Covid-19, mirëpo kanë telashe tjera shëndetësore.


Mirëpo, ata po ankohen se shërbimet mjekësore nuk po arrijnë t’i marrin në kohë.

Pikërisht për këtë problematikë, Shoqata e të Drejtave të Pacientëve ka pranuar rreth 80 ankesa, që sipas tyre, janë adresuar në institucionet përkatëse, raporton T7.

Rifat Ramadani, qytetar: “Qe tri ditë vrapoj nëpër spitale, një punë nuk mundem ta kryej, prit ai është në mbledhje ky është në mbledhje, nuk mundem të kryej punë, tmerr është ishalla të ardhmes i vjen diçka”.

Të njëjtin problem e ka edhe qytetari Ukshin Mjekiqi, i cili thotë se Ministria e Shëndetësisë nuk po tregon interes sa duhet për pacientët jo COVID.

Mjekiqi: “Nuk po na marrin parasysh, nuk po interesohen sa duhet e sidomos për pleq… Fajtor janë Ministria (e Shëndetësisë) e mjekët sepse nuk ka interes”.

E, se pacientët që s’janë të prekur me COVID nuk po i marrin shërbimet e nevojshme e thotë edhe kryetari i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë, Besim Kodra.

Kodra: “Me fillimin e rasteve të para në Kosovë, i gjithë fokusi i qeverisë është orientuar në rastet e COVID-19, ndërsa rastet të cilat nuk kanë pasur COVID-19 kanë mbetur pa u trajtuar, për shkak se kishte një vendim qeveritar që operacionet apo rastet që nuk janë emergjente të mos trajtohen. Tek ne kanë ardhur një numër i madh i ankesave”.

Derisa flet për ankesat e pacienteve, Kodra thotë se qeveria duhet të ndryshojë këtë qasje, ai thotë se kanë propozuar që të krijohet një linjë e veçantë e shërbimit për COVID-19, ndërsa sistemi shëndetësor të vazhdojë rrugën normale siç e ka pasur para pandemisë.

Comment here