Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

Ramosaj thotë se do të ketë takim me 27 gusht për rrugën Deçan-Plavë

Punimet për rrugën Deçan-Plavë gjatë kësaj jave kanë përplasur autoritetet qendrore në Prishtinë dhe ato lokale në Deçan.  Ndërsa Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti kërkonte që të pezulloheshin punimet në zonën e mbrojtur në afërsi të manastirit të Deçanit, kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj insistonte që punimet të vazhdonin.


E pas një takimi që zhvilluan, të dyja palët u dakorduan që punimet të ndërpriten për një kohë. E përkundër kësaj ndërprerje, Ramosaj beson që shpejt do nisin punimet e kësaj rruge.

Kreu i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj për KosovaPress ka thënë se ka disponim që të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të gjithë.

Ramosaj thotë se përmes realizimit të këtij projekti do t’i kthehet jeta qytetit të cilin ai e udhëheqë.

Ai tha se më datën 27 gusht do të zhvillojnë një takim me të gjithë akterët e përfshirë dhe se i njëjti do të realizohet në Deçan ku do jepen të gjitha sqarimet rreth këtij projekti që nxiti reagimin e të gjithëve.

“Disponimi i të gjithëve është të gjendet një rrugë (zgjidhje) e përbashkët, e pranueshme për të gjithë. Ne jemi peng i shumë marrëveshjeve, i shumë ligjeve,…. Në këtë qytet do të jetojmë bashkë dhe nga manastiri gjithmonë kam kërkuar që t’i respektojë nevojat e qytetarëve të komunës së Deçanit, dhe po ashtu edhe unë si kryetar jam i gatshëm t’i respektoj dhe t’i mbroj edhe nevojat dhe interesat e manastirit. Unë jam i bindur që do fillojnë (punimet e rrugës)…”, theksoi ai.

Se rruga do të kryhet e thotë kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj i cili vlerëson se nuk duhet të krijohen tema politike dhe artificiale rreth kësaj rruge e cila do të sjellë vetëm të mira.

Ndryshe, për ndaljen e punimeve në rrugën brenda zonës së mbrojtur të Deçanit pati reagime të shumta, edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Gjithçka nisi pas reagimit nga Manastiri i Deçanit, prej Sava Janic, e që u pasua edhe me reagime edhe nga presidenti serb, Aleksandër Vucic.

Comment here