Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

Sallat e operacionit në QKUK ende me kondicionerë “shtëpiakë“

Kondicionerë të thjeshtë, të tillë çfarë përdoren nëpër shtëpi ose lokale afariste, janë vendosur edhe në Mjekimin Intensiv e në Klinikën e Anesteziologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Në shumë salla të QKUK-së nuk funksion sistemi qendror i filtrimit. Gazeta ka siguruar foto nga klinika të ndryshme, ku ventilimi qendror është i pamjaftueshëm.


Kondicionerët e thjeshtë, sipas ekspertëve, nuk duhet të përdoren në spitale, meqë ofrojnë mundësinë e shpërndarjes së virusit. Një burim i ka thënë KOHËS se ventilim qendror nuk ka kryesisht në disa klinika.

“Në Gjinekologji nuk funksion ventilimi si duhet asnjëherë. Për këtë ndihmohet me kondicionerë të zakonshëm. Edhe nëpër salla (operacioni v.j.), në Klinikën e Kirurgjisë Torakale dhe të Urologjisë është problem i njëjtë”, ka thënë ky burim.

QKUK-ja u është përgjigjur pyetjeve të gazetës. Nga ky institucion kanë thënë se “klinikat kryesisht kanë”, por nuk kanë treguar se ku mungon.

“Sipas sektorit teknik në QKUK, klimatizim dhe ventilim qendror në QKUK kryesisht kanë: sallat operative, njësitë intensive, gysmintensivet, Onkologjia dhe kabinetet e rezonancave magnetike, kurse sistem qendror të ventilimit kanë kabinetet e Radiologjisë”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Në një nga klinikat me moderne në QKUK, ku është investuar rreth 2 milionë euro – në Mjekimin Intensiv Qendror, siç është informuar KOHA, deri para dy muajsh ka pasur probleme me ventilim. Por, këtë e ka mohuar QKUK-ja.

“Në MIQ është i instaluar sistemi qendror i klimatizimit me ventilim dhe ai është në funksion ”, thuhet në përgjigjen e Zyrës se Informimit.

Por në planin e shpenzimeve financiare për vitin 2020 të ShSKUK-së shihen investime të shumta që ishin paraparë për këtë kategori në Mjekimin Intensiv Qendror. Për në marsin e këtij viti ishte paraparë investim prej mbi 52 mijë eurosh në filtra, dy tenderë të tjerë në vlerë rreth 24 mijë euro.

Në klinikën që ka rreth 2 vjet që është investuar dy milionë euro, vlera e këtij investimi është mbi 100 mijë euro.

Comment here