Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

Selimi dhe Haradinaj takojnë Palmerin, Kosova bëhet me një përfaqësues zyrtar në DASH

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, dhe Ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj  gjatë vizitës në Uashington kanë takuar zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe të Euroazisë, Matthew Palmer.


Për takimin kanë njoftuar të dy ministrat.

Ministri Selimi ka thënë se kanë diskutuar për sundimin e ligjit dhe po ashtu edhe për Gjykatën Komerciale, siç ka thënë ai një projekt me përparësi për Ministrinë e Drejtësisht dhe me një rëndësi të madhe për ekonominë tonë

Në lidhje me takimin ka shkruar edhe Ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj e cila ka njoftuar se Republika e Kosovës për herë të parë në historinë politike të saj do të ketë një përfaqësues në Departamentin Amerikan të Shtetit.

“Republika e Kosovës për herë të parë në historinë politike, do të mund të dërgojë përfaqësuesin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të saj në Departamentin Amerikan të Shtetit. Këtë ma konfirmoi gjatë takimit Zëvendës Ndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe të Euroazisë, Matthew Palmer.

Koordinimi i ngushtë i politikës sonë të jashtme me SHBA-të, dhe profesionalizimi i Shërbimit të Jashtëm sipas praktikave më të larta ndërkombëtare e diplomatike, mbetet përkushtim i përbashkët yni.

Diskutuam me z.Palmer edhe dialogun me Serbinë, ku bashkë me Ministrin e Drejtësisë Selim Selimi theksuam se vetëm nën lidershipin amerikan, dialogu do të ketë dinamikën dhe qartësinë e duhur për t’u përmbyllur me njohje reciproke në kufijtë ekzistues, duke ruajtur karakterin unitar dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ajo.

Comment here