Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

SHBA mund t’ia heq vizat Kosovës

Pas nënshkrimit të marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington dhe njohjes së Kosovës nga Izraeli, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, do t’ia bëjë edhe një “dhuratë” tjetër Kosovës. Bëhet fjalë për heqjen e vizave për Kosovën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


E derisa procesi i liberalizimit të vizave nga Evropa po zvarritet tash e sa kohë, edhe pse Kosova tashmë i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara, SHBA në anën tjetër nuk do të hezitojë t’i heq vizat për popullin mik të Kosovës.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, që ishte pjesë e delegacionit të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë, ka thënë nga Uashingtoni se shumë shpejt Kosova do të hyjë në programin e heqjes së vizave nga SHBA.

“Grenell dhe O’Brien u zotuan se shpejt Kosova do të hyjë në programin e heqjes së vizave të SHBA-së. Ky program është një proces që duhet ta kalojmë”, ka thënë Selimi.

Kosova dhe Serbia në Shtëpinë e Bardhë nënshkruan marrrëveshje ekonomike.

Marrëveshja e nënshkruar nga Hoti dhe Vuçiq përbëhet nga 16 pika.

Gjithashtu marrëveshja, e nënshkruar nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, parasheh, ndër të tjera, edhe anëtarësimin e dy shteteve në “zonën e mini-Shengenit”.

“Të dyja palët do t’i bashkohen ‘zonës së mini-Shengenit’, të shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, në nëntorin e vitit 2019, dhe do t’i shfrytëzojnë plotësisht përfitimet prej saj”, thuhet në marrëveshjen e nënshkruar në Uashington, në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump.

Pikë tjetër e marrëveshjes është edhe pajtimi për ndalimin e pajisjeve dhe internetit 5G.

Gjithashtu, Kosova dhe Serbia u pajtuan edhe për përdorimin e përbashkët të Ujmanit.

Ndërsa kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se është bërë një hap i madh tjetër drejt normalizimit të raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndërsa Netanyahu thotë se pas njohjes së Izraelit, Kosova do të jetë shteti i parë mysliman në botë që do të hapë ambasadë në Jerusalem.

Comment here