Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

Sipas rekomandimeve të Serbisë, komunat me shumicë serbe fillojnë sot mësimin online

Shkollat në komunat serbe në Kosovë, më 1 shtator kanë filluar vitin e ri shkollor përmes mësimit online, sipas rekomandimeve të Ministrisë së Arsimit të Serbisë.


Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, Lubisha Karaxhiq, drejtor i shkollës fillore “Milladin Mitiq” në Llapnasellë, komuna e Graçanicës.
Ai tha se kthimi fizik në shkolla, është shtyrë për shkak të gjendjes epidemiologjike, por edhe rekomandimeve të institucioneve arsimore serbe. Po ashtu, ai shtoi se nuk janë të detyruar të konsultohen me Ministrinë e Arsimit të Qeverisë së Kosovës.

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë, Xhevat Rexhaj, më 28 gusht, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e fillimit të vitit të ri shkollor, vlen për të gjitha komunitetet në Kosovë dhe për të gjitha institucionet shkollore.

Ndryshe, institucionet shkollore në Kosovë janë mbyllur nga data 12 mars, pas masave që ndërmori Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së coronavirusit. Pas 10 ditëve të mbylljes së shkollave mësimi kishte nisur nga distanca.

Mësimi në distancë për klasat 1 deri në 9 u realizua nëpërmjet transmetimit të mësimeve të regjistruara në televizionin publik si dhe përmes kanalit të MASHT-it (Ministria e Arsimit) në YouTube. Ndërsa, në nivel të shkollave të mesme të larta mësimi në distancë u zhvillua në mënyrë të decentralizuar ku mësimdhënësit janë bartësit kryesor të mësimit në distancë.

Comment here