Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

Skender Hyseni në Francë kërkon liberalizimin e vizave për Kosovën

Koordinatori shtetëror për dialogun Kosovë-Serbi, Skender Hyseni, gjatë një vizite zyrtare në Francë, përveç temave lidhur me marrëveshjen me Serbinë ka kërkuar edhe liberalizim vizash.


Është takuar me këshilltarin diplomatik për Evropë i presidentit Emmanuel Macron, Alexandre Adam, e më pas me drejtorin për Evropë Kontinentale në MPJ-në e Francës, Frederic Mondoloni.

“Duke çmuar angazhimin e BE-së dhe punën e të dërguarit të veçantë të saj, Lajçak në raundet e bisedimeve që po zhvillohen në Bruksel, theksova rëndësinë thelbësore të përkushtimit të Presidentit Makron dhe Kancelarës gjermane Merkel. Koordinimi me synimin që dialogu të marrë një dinamikë të re është imperativ. Theksova se nuk duhet të humbet koha e çmueshme, duke zvarritur procesin, por duhet shtruar pa u vonuar dhe pa zvarritje, për diskutim dhe akordim çështjen kryesore, marrëveshjen gjithëpërfshirëse për njohje reciproke dhe normalizim midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Kjo mund të arrihet vetëm me përfshirjen dhe përkrahjen e drejtpërdrejtë dhe të koordinuar të trekëndshit Paris, Berlin, Uashington për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë të arrijnë një marrëveshje normalizimi, duke njohur njëra tjetrën. E sigurova z. Adam se angazhimi konstruktiv i Qeverisë dhe të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës në këtë proces është i vendosur”, ka shkruar Hyseni në Facebook pas takimit me Adamin.

Ndërkaq, thotë Hyseni, në takimin me Frederic Mondoloni, përveç që ka biseduar për dialogun, ka kërkuar edhe liberalizimin.

“Tema e bisedës edhe në këtë takim ishte dialogu Kosovë Serbi. Poashtu në këtë takim biseduam me ambasadorin Mondolini edhe për liberalizimi e vizave për qytetarët e Kosovës. Me përunjësi kërkova që edhe Franca përfundimisht të jap pajtimin e saj që liberalizimi të ndodh brenda këtij viti”, shkroi Hyseni.

Franca mbetet më skeptikja kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave për kosovarët.

Dy vjet pasi që Komisioni Evropian ia dha “dritën e gjelbër” heqjes së vizave Kosovës, shtetet e Bashkimit Evropian vazhdojnë të mos jenë unike. Marrja e Presidencës së BE-së nga shteti gjerman është parë si mundësi për të çuar përpara liberalizimin, por problem paraqet kundërshtimi i Francës.

Comment here