Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

Takimi në Washington mund të shtyhet 2 ditë, për të marrë pjesë edhe Trump

Takimi në Shtëpinë e Bardhë, mes Kosovës dhe Serbisë, mund shtyhet në një datë të përshtatshme, ashtu që edhe Presidenti Trump të jetë pjesë e tij.


Takimi i caktuar mes Kosovës dhe Serbisë më 2 shtator, në Shtëpinë e Bardhë, me shumë gjasë do të shtyhet për dy ditë.

Burime diplomatike të Gazetës Express bëjnë me dije se takimi mund të zhvendoset më datë 4 shtator.

Siç i kanë thënë Gazetës Express këto burime në të mund të marrë pjesë edhe vetë Presidenti amerikan, Donald Trump. Ai tashmë është duke zhvilluar fushatën e tij për zgjedhjet presidenciale që mbahen në nëntor.

Kosova është pajtuar për shtyrjen e takimit, ndërsa ka mbetur që edhe Serbia të japë qëndrimin e saj.

Aranzhimin e takimit mes Kosovës dhe Serbisë e kishte bërë të ditur Richard Grenell, emisar i Trumpit për dialogun.

Këtë takim po e organizon këshilltari për Siguri Kombëtare i Presidentit, Robert O’Brien.

Zyra e O’Brien ditë më parë i ka konfirmuar Gazetës Express se në takim marrin pjesë presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Deri më tani është spekuluar se nga Shtëpia e Bardhë, Kosova e Serbia mund të dalin me lloj-lloj marrëveshje, madje është përmendur edhe mundësia për një marrëveshje finale.

Kryeministri Hoti ka thënë se në takimin në Shtëpinë e Bardhë  do të diskutohet “për projekte madhore të bashkëpunimit ekonomik që do ta ndërrojnë perspektiven ekonomike të Kosovës dhe rajonit”.

Edhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuciq ka thënë se Serbia po merr pjesë për të diskutuar tema ekonomike.

Një takim mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë ishte planifikuar të mbahen më 27 qershor, por u anulua pasi Prokuroria Speciale në Hagë njoftoi se ka dorëzuar aktakuzë për krime lufte ndaj Presidentit Hashim Thaçi, që veçse ishte nisur në Washington për takim.

Thaci u kthye në gjysmë të rrugës dhe prej atij njoftimi ai nuk mori pjesë në asnjë takim  jashtë Kosovës.

Kosova e Serbia u kthyen pas dy vjetëve në tavolinën e bisedimeve të Bruksel, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, e aty morën pjesë kryeministri Hoti dhe presidenti Vuciq.

Comment here