Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

Të testuarit për Covid-19 dhe të infektuarit e konfirmuar qëndrojnë në të njëjtën hapësirë në Klinikën Pulmologjike

Në hyrje të Klinikës së Pulmologjisë, nuk ka asnjë lloj kontrolli se kush futet e kush del.


Përkundër se pjesa me e madhe pacientëve të shtrirë në këtë klinikë, janë të diagnostikuar me COVID 19, shumica e personave që shihen në ambientet e saj nuk kanë asnjë masë mbrojtëse, raporton KTV.

Faktin që pacientët e dyshimtë që vetëm janë testuar dhe pacientët e konfirmuar me COVID 19 qëndrojnë në një dhomë, televizioni e ka konfirmuar nga disa pacientë që gjenden në këtë klinikë.

Një grua në këtë dhomë është shtrirë sot në Klinikën e Pulmologjisë. Ajo është testuar nëse është me virusin COVID-19. Në dhomë është e shoqëruar me pacientë të konfirmuar me virus tash e dy javë.

Në secilën dhome sheh shoqërues.

Ata shihen me pije e ushqime në dorë e disa herë edhe me barna që mungojnë në klinikë.

Mjeku kujdestar, Flamur Marku, ka thënë se në klinikë po bëhet punë e madhe për përballje me virusin dhe pasi që një pjesë e stafit janë infektuar, klinika, pas riorganizimit, po funksionon vetëm me kujdestari.

Ndonëse klinika është e dedikuar për pacientët me COVID-19, nuk ka asnjë hapësirë 100 për qind të pastër, ku ndahen pjesa e hyrje daljeve me pjesën ku qëndrojnë vetëm pacientët.

Për dallim nga kjo klinikë, në Mjekësinë Sportive pjesa e pastër me atë të pasigurt ndahet ndryshe.

Mungojnë edhe dezinfektuesit në korridore.

Për krejt klinikën, përfshirë edhe shoqëruesit e shumtë, janë në dispozicion 6 banja.

Kjo klinikë ka oksigjenim qendror, por jo në të gjitha dhomat. Një pjesë e dhomave shërbehen me bombola. Nuk ka mjekim as gjysmë intensiv e as intensiv.

Klinika e Pulmologjisë konsiderohet si klinikat kryesore për trajtimin e pacientëve të prekur me virus. Në këtë klinikë momentalisht po trajtohen 67 pacientë me COVID 19.

Comment here