Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

Vetëvendosje kërkon sqarime nga Thaçi për faljen e dënimit të dëshmitarit në rastin Dehari

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar sqarime nga Prokuroria, lidhur me rastin e hetimit mbi vdekjen e Astrit Deharit.


Në një konferencë për media, Albulena Haxhiu nga kjo parti ka thënë se janë të shqetësuar me faktin që dëshmitarët kryesorë në këtë rast ose janë falur ose nuk janë më gjallë.

Ajo ka thënë se është i paprecedent rasti i fundit, ku sipas saj presidenti Thaçi ka falur  personin që ishte i dënuar për vrasje të trefishtë e dëshmitar në rastin e Deharit, shkruan Reporteri.

“Gjatë këtyre ditëve ishim të shqetësuar që dëshmitarët kryesorë pavarësisht veprave të rënda ose janë dënuar ose falur ose nuk janë më gjallë. Jemi të bindur që pas këtyre fshihen vepra të rënda. Rasti i fundit i paprecedent ishte kur presidenti fali personin që ishte i dënuar për vrasje të trefishtë. Me kërkesë të grupit parlamentar i kemi kërkuar presidentit qasje në dokumentin që çoi në faljen e dënimit të tij, por dosja ende nuk na është dorëzuar”, u shpreh ajo.

Haxhiu po ashtu ka kërkuar sqarime nga Prokuroria Speciale se deri ku kanë mbërritur hetimet në lidhje me këtë rast.

“Ne kërkojmë sqarime nga Prokuroria Speciale, deri ku kanë mbërritur hetimet, pse kjo lëndë nuk është prioritet për Prokurorinë”, u shpreh ajo.

Haxhiu ka thënë se në kohën kur ishte ministre Kryeprokurori Lumezi i kishte thënë se në qershor, do të vijnë në Kosovë ekspertët nga Zvicra lidhur me rastin e Deharit.

“Kërkojmë të dimë nëse kanë ardhur. Nëse po çfarë ka ndodhur, dhe nëse nuk kanë ardhur pse”, ka thënë Haxhiu.

Comment here