Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

Vjosa Osmani tregon nëse ka pasur ofertë që të kalojë në Vetëvendosje

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani në një intervistë për Radio Evropa e Lirë ka folur rreth Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe iniciativës së re politike që ka paralajmëruar. Osmani ka thënë se kjo aktualisht është vetëm ide, derisa ka deklaruar se mund të rikthehet në LDK. Osmani ka folur edhe nëse ka pasur ofertë që të kalojë në Vetëvendosje dhe se më kë do të hynte në koalicion partia e saj.


A jeni pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) apo kjo tashmë është vetëm në nivel formal?

Vjosa Osmani: Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë vendim për të më përjashtuar, më 21 qershor të këtij viti, nga pozitat që kam pasur në atë subjekt politik, në të cilin janë bërë 20 vjet që kam pasur aktivitet dhe ky ka qenë vendim i tyre. Nuk ka qenë në asnjë moment vendim i imi. Ka qenë vendim, të cilin e kam kundërshtuar, sepse gjatë krejt kësaj periudhe, që një shumicë brenda strukturave aktuale të LDK-së më ka kundërshtuar. Unë kam qenë ajo që i kam mbrojtur parimet e LDK-së dhe parimet me të cilat kemi dalë para qytetarëve tanë në zgjedhjet e fundit.

Kurse, ata që më përjashtuan e kanë bërë të kundërtën. Pra, nuk kanë mbrojtur as parimet e LDK-së, as vlerat e LDK-së e aq më pak fjalën e dhënë para qytetarëve. Kjo ka qenë zgjedhje e tyre, që të më përjashtojnë. Pra, ndarja e rrugëve, ka qenë vendim i tyre dhe natyrisht që nuk më kanë lënë rrugë tjetër, sepse në momentin kur përjashtohesh, nuk mund thjesht të rrish të dera dhe të presësh derisa të hapet ajo derë sërish.

Do të thotë, ju jeni jashtë Lidhjes Demokratike të Kosovës?

Vjosa Osmani: Unë jam përjashtuar nga Lidhja demokratike e Kosovës, më 21 qershor. Ky është realiteti, të cilin shumë njerëz po tentojnë ta relativizojnë. Por, e vërteta është kjo. Është e vetmja e vërtetë dhe nuk ka të vërtetë tjetër. Në daç quaje përjashtim ose lirim nga detyra apo çka të duash. Është largim. Më kanë larguar, sepse nuk e duan kontributin tim. Më kanë larguar, sepse nuk e duan qëndrimin tim, nuk i duan idetë e mia, nuk e duan prezencën time. Në fakt, ato i donin vetëm në kohë zgjedhjesh, por tash nuk po i duan më. Kështu që ka qenë vendim i tyre që të vazhdojnë rrugën që e kanë zgjedhur, që është rrugë në kundërshtim me vullnetin qytetar të 6 tetorit. Kanë zgjedhur rrugë tjetër dhe dëshirojnë ta ecin pa mua. Është rrugë e zgjedhur nga ana e tyre.

A keni pasur ofertë që të kaloni në Lëvizjen Vetëvendosje?

Vjosa Osmani: Edhe Lëvizja Vetëvendosje, por edhe çdokush tjetër, e dinë që unë nuk jam person që merrem me oferta, me transfere, me çështje të tilla. Ne ulemi dhe diskutojmë se si mund të bashkëpunojmë në të ardhmen, në mënyrë që t’i ndihmojmë këtij vendi që të merret me sfidën numër një që e ka, që është kapja e shtetit. Pra, bashkëpunimi im me ta është në këtë kontekst.

Me secilin njeri të Kosovës që e ka qëllimin e tillë të mirë, unë bashkëpunoj. Mirëpo, unë e kam bërë të qartë që nuk është se kam ndonjë qëllim që të kaloj në ndonjë nga subjektet tjera aktuale.

Për momentin, bashkë me bashkëpunëtorët e mi jam duke analizuar se si do të jetë angazhimi im politik, në qoftë se ka zgjedhje së shpejti.

Keni paralajmëruar një iniciativë të re politike. A e shihni këtë si të vetmen mënyrë që të mbeteni në politikë, momentalisht?

Vjosa Osmani: Tash, mundësitë janë të shumta. Mirëpo, mua më duhet ta zgjedh mundësinë më të mirë për të dhënë kontribut që vendi im të ecë përpara. Përderisa LDK-ja nuk e dëshiron kontributin tim, unë jam e detyruar që të shikoj se si këtë kontribut ta kanalizoj në mënyrën më të mirë.

Iniciativa është diçka që jemi duke e diskutuar. Pra, jemi vetëm në fazën e diskutimeve të ideve se si do të mund të funksiononte diçka e tillë, me njerëz intelektual, me njerëz të ngritur, me njerëz që e duan këtë vend, me njerëz profesionistë dhe me integritet.

Shumë herë në Kosovë krijohet përshtypja që ndonjë iniciativë politike ose cilado ide që dëshiron ta çosh përpara – edhe hiç pa qenë iniciativë – duhet të bëhet vetëm me njerëzit që janë aktualisht në politikë.

Jo. Besomëni, njerëzit më të mirë, profesionistë, na kanë mbetur jashtë, sepse aq shumë u është gërditur ajo çka ka ndodhur në institucionet tona qe 20 vjet, sa që më shumë e kanë parë veten duke punuar qoftë në sektorin privat, qoftë në mënyra tjera, qoftë edhe jashtë vendit, diaspora jonë dhe kanë vazhduar kontributin e tyre për vendin, por jo brenda institucioneve. Kështu që, tash, të pretendohet që çfarëdo iniciative e re duhet patjetër vetëm të bëjë një lloj grupimi dhe riorganizimi të njerëzve aktualë, unë mendoj që është gabim.

Ne duhet të sigurohemi përfundimisht që dyert e institucioneve tona t’i hapim për njerëzit profesionistë, për njerëzit me integritet, njerëz të rinj dhe njerëz që kanë se çfarë i japin këtyre institucioneve dhe vendit. Por, po e përsëris, këto janë vetëm ide që i diskutojmë për momentin. Kurdo që shpallen zgjedhjet e reja, ne atëherë do të shohim që të konkretizojmë.

Do të thotë, nuk dihet se kush do të jetë pjesë e kësaj iniciative, apo…?

Vjosa Osmani: Ndoshta edhe dihet, por janë çështje që konkretizohen pak më vonë, sepse, siç e thashë, është në nivel të ideve akoma dhe kur jemi duke diskutuar ide, është tepër herët të flitet për njerëz. Do të thotë, për njerëz flitet vetëm kur një iniciativë e tillë do të konsolidohej, do të regjistrohej formalisht dhe atëherë e vlen që të flasim me emra. Për momentin, ne jemi në proces të diskutimeve, kështu që nuk ka asnjë kuptim që të flasim për emra për momentin.

Për çka do të angazhohet kjo inicativë?

Vjosa Osmani: Për çkapjen e shtetit, demokratizimin e vendit dhe hapjen e rrugës për profesionistët e vërtetë dhe njerëzit me integritet, që ta bjënë këtë shtet ashtu siç e meritojnë qytetarët tanë dhe ta bëjnë këtë shtet një vend me të cilin ata do të mburren, e jo një vend nga i cili dëshirojnë të ikin.

Kur bëhet fjalë për angazhimin tuaj në parti, a e shihni veten në të ardhmen vetëm në Lidhjen Demokratike të Kosovës apo edhe në ndonjë parti tjetër?

Vjosa Osmani: Unë do të pres të shoh se çka do të ndodhë në LDK përgjatë këtyre viteve. Nëqoftëse aty vërtet ka një lëvizje për reformim, i cili i sjell në pah njerëzit, të cilët e mbajnë fjalën publike, kanë përgjegjësi për fjalën publike, nuk përzihen me parti, të cilat janë shquar për krim e korrupsion, por janë vërtet të interesuar që nëpërmjet qeverisjes së pastër dhe qeverisjes vetëm me partnerë të tjerë të pastër ta bëjnë Kosovën shtet ku ka shpresë, sidomos për rininë tonë, atëherë natyrisht që unë do të rikthehem.

Prandaj, edhe unë angazhimin në këto zgjedhje që mund të vijnë së shpejti, e shoh si një lloj angazhimi të përkohshëm, dhe është edhe një votë edhe për reformimin e LDK-së, sepse do të jetë një mesazh që LDK-ja vërtet duhet të reformohet, duhet të ndryshojë, duhet të hapet për njerëz të cilët e mbajnë fjalën dhe jo të konsiderohet se, ajo çka ka ndodhur prej 6 tetorit e tutje është normalitet.

Nuk është normale të dalësh para qytetarëve me diçka komplet tjetër dhe tani t’u servosh duke devijuar në tërësi vullnetin e tyre, diçka komplet të kundërt. Në një shoqëri demokratike, nuk është normale dhe duhet të ndalemi dhe të mos tentojmë ta normalizojmë edhe më tutje, ta arsyetojmë me faktin se çdo parti hyn në zgjedhje veç që të qeverisë. Jo, jo – për të qeverisur po – por për të qeverisur mirë, për të qeverisur me partnerë si duhet, të qeverisë me njerëz që nuk janë të zhytur në krim e korrupsion, të qeverisë duke mbrojtur interesin e shtetit tënd, duke dhënë shembull se kur u thua diçka qytetarëve, ke përgjegjësi për fjalën publike.

Ashtu qeveriset në një vend demokratik, mund ta shihni, secili prej nesh që kemi jetuar në shtete të zhvilluara demokratike për një periudhë, e kemi parë se çka nënkupton qeverisja e mirë, e jo vetëm të thuhet qëllimi qenka pushteti. Nuk mund të jetë vetëm pushteti qëllim, duhet partia politike, qeverisjen apo pushtetin duhet ta shfrytëzojë për të arritur diçka të mirë për qytetarët e jo për të arritur diçka të mirë vetëm për vetveten. Prandaj, edhe po e them, ky për mua është një angazhim i përkohshëm me qëllim që unë t’i ndihmoj nga jashtë, të tjerët të ndihmojnë nga brenda e LDK-ja t’u rikthehet vlerave të saj të vërteta.

Presidenti Ibrahim Rugova mbetet lideri ynë historik për shumë arsye, për orientim strategjik e shumëçka tjetër. Por, më të rëndësishmen nuk e përmendin – ai e ka dashur popullin e vet, i ka dashur njerëzit e tij, nuk i ka rrejtë kurrë, për këtë arsye e kanë dashur edhe ata atë, për këtë arsye nuk ia kanë kthyer shpinën kurrë, për këtë arsye mbetet lideri me mbështetjen më të madhe popullore në historinë tonë, për këtë arsye ka qenë president i të gjithëve, jo vetëm i partisë, sepse ka pasur përgjegjësi publike ndaj fjalës që ua ka dhënë qytetarëve. Pra, nuk ka hyrë në zgjedhje veç për të marrë pak pushtet, por ka hyrë në zgjedhje që të mos ua kthejë shpinën qytetarëve të vet. Prandaj, edhe unë tash kur i dëgjoj këto idetë, jo dikush do t’i marrë kaq përqind e aq përqind, e them një gjë: e mira e së mirës është që për këtë do të vendosin në fund qytetarët.

Nëpërmjet iniciativës, të cilën po e paralajmëroni, a do të ketë vija të kuqe apo të gjelbra të bashkëpunimit me subjekte të caktuara politike?

Vjosa Osmani: Natyrisht që do të ketë. Mirëpo, pak mos u ngutni sepse unë po e them, iniciativa nuk është formuar, është vetëm ide, është ide e cila ka për qëllim që t’i japë mundësinë një grupi të njerëzve­ profesionistë që të bëhen pjesë e politikës dhe ta ndihmojnë vendin, institucionet, duke dhënë kontribut profesional e me integritet. Nëqoftëse do të arrihet të bëhet një gjë e tillë, e kam bërë të qartë edhe më herët dhe po e përsëris, ne e shohim si partner koalicioni, apo së paku kështu mendoj unë po edhe bashkëpunëtorët e tjerë me të cilët diskutojmë, si partner të vetëm dhe të pakontestueshëm për këtë fazë e shohim Lëvizjen Vetëvendosje, bashkë me të cilën besoj do të mund të ndërtonim një koalicion parimor, që ka për qëllim të merrët me problemet më imediate të qytetarëve tanë.

Përkundër faktit, që unë vazhdoj të besoj në vlerat e qendrës së djathtë, ata janë një parti e qendrës së majtë, kemi shembuj të shumtë nëpër botë, psh në Gjermani por dhe vende të tjera, kur për arsye dhe kauza më të mëdha kanë vendosur në program të përbashkët, kurse dallimet ideologjike do t’i shihni ndërkohë. Mirëpo, është një kauzë tepër më e madhe që do të mund të na sillte neve bashkë në qeverisje në rast se natyrisht arrijmë të konsolidojmë diçka të tillë që po e përsëris, për momentin është në fazë të ideve.

Comment here