Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

VV’ja dorëzon kërkesat urgjente për raportim të Kryeministrit Hotit

Marrëveshja e Uashingtonit po konsiderohet e dëmshme nga Lëvizja Vetëvendosje. E për këtë marrëveshje që në prani të Donald Trumpit në Shtëpinëe Bardhë e nënshkroi kreu i Qeverisë Avdullah Hoti po kërkon përgjegjësi partia e Albin Kurtit.


Deputetët e VV-së kanë dorëzuar sot kërkesat urgjente për raportim të Hotit dhe ministrave, që kanë qenë pjesë e delegacionit apo që kanë përgjegjësi mbi koncensionet antikushtetuese dhe të paligjshme në letrën e nënshkruar më 4 shtator dhe në takimet e Brukselit më 7 shtator.

Kërkesa për raportim lidhur me Politikën e Jashtme, Ekonominë, të pagjeturit, viktimat e dhunës seksuale, Ujmanin, mini-Shëngenin, bisedat për Zajednicën, ata që po i quajnë të “zhvendosurit” dhe për shpenzimet e një delegacioni të stërmadh në Uashington, thekson Lëvizja Vetëvendosje.

“Deputetët anëtarë të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë përmes një kërkese zyrtare kanë ftuar Hotin për raportim në Komision për arsye se lista e zotimeve të bëra në letrën e 4 shtatorit, është një listë me përfitime për Serbinë në kurriz të subjektivitetit, integritetit dhe sovranitetit të shtetit të Kosovës. Që nga bërja hisedar Serbinë në shfrytëzimin e resurseve shtetërore të Republikës së Kosovës, pranimi i mini-Shengenit si një ide dhe projekt i Serbisë për të garantuar hegjemoninë ekonomike e tregtare, vënies në funksion të këtij synimi të infrastrukturës rrugore e hekurudhore të Kosovës e deri te dalja në detin Adriatik si një ëndërr e kamotshme e shtetit të Serbisë, e heqja dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të Kosovës, janë të gjitha në kundërshtim me interesat e Kosovës e krejtësisht në shërbim të Serbisë”, thuhet në një postim në Facebook.

Për më tepër, Vetëvendosje ka bërë të ditur se anëtarët e Komisionit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike kanë bërë kërkesë për raportim të Hotit lidhur me nënshkrimin e tij për të ndarë shfrytëzimin e Ujmanit me Serbinë dhe pranimin e mini-Shëngenit për të cilin fuqishëm gjithmonë e ka kundërshtuar edhe vetë ai.

Në anën tjetër anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut nga Vetëvendosje kanë thirrur zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj për raportim si pjesë e delegacionit të Kosovës në takimin me delegacionin e Serbisë, të cilët mënyra se si kanë trajtuar çështjen e personave të zhdukur dhe se si nuk i kanë adresuar çështjen e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Vetëvendosje konsideron se qëndrimi i delegacionit të Kosovës në bisedimet në Uashington dhe Bruksel është i turpshëm dhe ofendues për të gjitha viktimat dhe popullin e Kosovës, pasi që çështja e të pagjeturve dhe viktimave të dhunimeve duhet të jetë prioritet i institucioneve si kërkesë e pakushtëzuar.

“Serbia ka ndjekur politika shtetërore gjenocidale. Shteti i Serbisë i ka të gjitha informacionet për varrezat masive dhe për fatin e të pagjeturve. Po ashtu dhe mbi përgjegjësit dhe urdhërdhënësit e dhunimeve seksuale gjatë luftës. Refuzimi për të zbardhur këtë çështje dhe për të kthyer trupat është vazhdim i lojës më vuajtjet e familjeve që kërkojnë trupat e të dashurve të tyre dhe dinjitetin e Kosovës si shtet. Ndërsa fshehja e heshtja për dhunimet seksuale si aparat i luftës është edhe më e rëndë”, thuhet më tej në postimin e Vetëvendosjes.

Takimi i 4 shtatorit, u karakterizua edhe nga përbërja masive e delegacionit të Kosovës, të cilët me qëndrimin e gjatë para dhe pas takimit i kanë shkaktuar shpenzime të mëdha e të panevojshme buxhetit të shtetit.

Lidhur me këtë, deputetët e Lëvizjes, anëtarë të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike kanë ftuar Hotin që të raportojë lidhur me shpenzimet e bëra të delegacionit të Kosovës gjatë qëndrimit në SHBA.

Përkitazi me këtë çështje, deputetët e Vetëvendosjes kanë kërkuar edhe qasje në dokumentet publike në Zyrën e Kryeministrit me qëllim të ofrimit të transparencës për të gjitha shpenzimet e udhëtimit, qëndrimit dhe mëditjeve për delegacionin që ka marrë pjesë në këtë takim.

Comment here