Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

Zhvillime dramatike: Pritet dorëheqja e ministrave të AAK’së, Haradinaj largohet nga Qeveria

Gazeta Express mëson se ministrat e AAK’së pritet të japin dorëheqje pas nënshkrimit të marrëveshjes nga kryeministri Hoti me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë, e rrjedhimisht, partia e Haradinajt largohet nga koalicioni qeverisës me LDK’në.


Kreu i AAK’së Ramush Haradinaj kërkon të mos nënshkruhet marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë, për të cilën është dakorduar dje kryeministri Avdullah Hoti në takimit me Vuciqin, të ndërmjetësuar nga amerikanët.

Gazeta Express mëson se Haradinaj e ka njoftuar LDK’në se do ta braktisë Qeverinë, nëse sot nënshkruhet marrëveshja në Shptëpinë e Bardhë.

Express ka raportuar më herët se ka tensione në delegacionin e Kosovës në Uashington.

Pak orë para nënshkrimit të marrëveshjes, ka përplasje mes kryeministrit Hoti dhe të dërguarve të Haradinajt, pasi ai nuk po pajtohet me marrëveshjen.

Haradinaj ka thënë sot për Evropën e Lirë se nuk e pranon marrëveshjen që pritet të nënshkruhet sot, pasi, sipas tij, aty bëhet fjalë edhe për Liqenin e Ujmanit në veri të Kosovës.

“Ujmani është një liqe që ka 9,2 kilometra në territorin e Kosovës, dhe ka 2,7 në territorin e Serbisë. Pra, është një kufi ujor në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ka edhe një hidrocentral në brendi të Kosovës. Ne nuk e vlerësojmë që duhet të jetë në një marrëveshje trelaterale ku është edhe Serbia palë e ardhmja e Ujmanit. Jemi të hapur me Departamentin e Energjisë të Amerikës për të ardhmen e Ujmanit, por jo për një marrëveshje trepalëshe ku edhe Serbia është palë, lidhur me të ardhmen e Ujmanit”, tha Haradinaj.

Ai madje e ka paralajmëruar pak më parë se po rrezikohet qëndrueshmëria e koalicionit nga pranimi i një marrëveshje tripalëshe që e përfshin edhe Ujmanin.

“Kjo do të ketë ndikim të madh në të gjitha marrëdhëniet që kemi politike sepse AAK-ja nuk është e gatshme për bashkëpunim as në qeverisje dhe në çfarëdo forme, që të ndihmojë në një marrëveshje ku Serbia qoftë edhe indirekt bëhet palë në resurset e Kosovës”, ka thënë ai për REL.

Ndryshe, Shtëpia e Bardhë ka raportuar se në orën 11:00, sipas kohës lokale të Uashingtonin (që i bie të jetë në orën pesë pasdite në Prishtimë) në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes merr pjesë edhe presidenti amerikan, Donald Trump.

Comment here