Drenica News

Lajmet e fundit nga rajoni dhe bota!

Lajme

Zotimet e Washingtonit me implikime në Kushtetutë e sovranitet

Kur ishte ftuar për të raportuar në Kuvend në lidhje me atë që do të negocionte në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri Avdullah Hoti kishte thënë se do të shkonte në Uashington me Kushtetutë në xhep, si simbolikë se do ta respektonte aktin më të lartë juridik të shtetit në secilën marrëveshje që do ta dakordonte me Serbinë.


Por, sipas njohësve të Kushtetutës, zbatimi i listës së zotimeve që Hoti i ka firmosur imponon edhe ndryshime Kushtetuese e edhe bartje të përkohshme të sovranitetit.

Në listën e zotimeve të përbashkëta me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, që kreu i Qeverisë së Kosovës i ka firmosur, është edhe përdorimi i përbashkët me Serbinë i Liqenit të Ujmanit, pastaj bashkimi në “zonën e mini-Schengenit” që është iniciuar në Serbi, e edhe avancimi i të drejtave që lidhen me Kishën Ortodokse Serbe.

Lexo Edhe:
Në “luftë” me Greqinë, Erdogan ashpërson tonet edhe ndaj presidentit Macron
Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, i ka thënë KOHËS se për vënien në jetë të zotimeve të njëanshme të marra në Washington nga Qeveria Hoti, duhen ndërmarrë një sërë veprimesh në planin e brendshëm dhe të jashtëm.

“Në planin e brendshëm duhen nxjerrë disa ligje dhe akte të tjera, ndoshta në një fazë të mëvonshme mund të ketë nevojë edhe për ndryshime kushtetuese në njërën prej palëve në Washington”, ka theksuar Hasani. “Ato akte mund të kenë natyrën edhe të marrëveshjeve ndërkombëtare, siç është për shembull rasti me marrëveshjet që kanë të bëjnë me energjinë e ujit në Ibër, me garancitë shtesë për serbët lokalë dhe trashëgiminë e tyre kulturore, dhe kështu me radhë”.

Rreth 80 për qind e Liqenit të Ujmanit ndodhet në territorin e Kosovës, por kryeministri Hoti ka pranuar që për qëllime që lidhen me ujin dhe energjinë, në të të ketë qasje edhe Serbia.

“Të dyja palët do të pajtohen të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë dhe me subjektet e tjera të Qeverisë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Gazivodës/Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë”, thuhet në dokument. “Të dyja palët do të shumëfishojnë burimet e tyre të energjisë”.

Një burim i gazetës ka thënë të jetë e pritshme që studimi i fizibilitetit të parashohë sovranitet të dyfishtë të Ujmanit për një periudhë të caktuar kohore, e që do të ofrohej nga Kosova me marrëveshje ndërkombëtare, e cila do të mund të hynte në fuqi vetëm nëse pro saj votojnë së paku 80 nga 120 deputetët sa i ka Kuvendi. Kundër zotimit që lidhet me Ujmanin janë deklaruar kundër dy partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike, që bashkërisht në Kuvend i kanë 55 deputetë.

Comment here